Protesta e studentëve – Çfarë ndodhi dhe çfarë pritet të ndodhë
Ajo që nisi më 4 dhjetor si një protestë e vetëorganizuar e një grupi studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, shumë shpejt u shndërrua në një reagim masiv të studentëve nga e gjithë Shqipëria. Shqetësimi për tarifat e larta të universiteteve ekzistonte prej disa vitesh, por ajo që shkaktoi protestën masive ishte një vendim i Këshillit të Ministrave që të majit të vitit 2018 (figura 1, VKM-ja) që midis të tjerave, përcaktonte edhe një tarifë shtesë për kreditet ose provimet e mbartura (pika 4).
Për shkak të strukturës së re të sistemit arsimor, ku Institucioneve të Arsimit të Lartë iu jepet autonomia financiare, kjo tarifë mbetej në dorë të çdo IAL-je. Pra, ishin rektoratet përkatëse sëbashku me bordet administrative ato që vendosnin nëse tarifa do aplikohej për kredit, për provim dhe gjithashtu cila do ishte shuma e tarifës (figura 2). Pas miratimit të VKM-së në maj, nisi dhe aplikimi, fillimisht nga Universiteti Politeknik i Tiranës, aty ku dhe shpërtheu edhe protesta që do shtrihej në të gjitha universitetet e vendit.
Nga një u kalua në tre kërkesa, përkatësisht:
- Heqjen e pagesës për kredite të provimeve të mbartura;
- Shtyrjen e afatit të pagesës së tarifës vjetore;
- Pagesën me këste të tarifës.
Në ditën e dytë, më 5 dhjetor, protestës iu bashkuan studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas ata të Shkencave të Natyrës, duke bojkotuar mësimin për t’u zhvendosur përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Ndikimi i rrjeteve sociale dhe vendosmëria e studentëve që gjendeshin në protestë, shkaktoi dhe sensibilizimin e pjesës tjetër të studentëve nga Fakulteti i Ekonomisë, Filologjisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës e të tjerë.
Nga Tirana, protesta u shtri më tej në protesta paralele në Elbasan, Vlorë, Korçë dhe në Shkodër e Gjirokastër. Por, përmasat gjigande dhe përfshirjen në shkallë vendi protesta e studentëve e mori më 6 dhjetor. Kjo solli edhe reagimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, e cila në një deklaratë për shtyp tha se tashmë VKM-ja për tarifat mbi provimet e mbartura ishte shfuqizuar. Disa orë më vonë edhe kryeministri Rama, në një video në Facebook, shpjegoi se kishte nisur një investim masiv (18.8mln€ Faza 1) në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për të ndryshuar situatën e konvikteve. Midis të tjerave, kryeministri Rama theksoi se në fazën e dytë të projektit do të ndërhyhej në 9 godina me një vlerë prej 11.4 milion euro.
Me 7 dhjetor, në ditën e katërt të protestës, kërkesat e studentëve ndryshuan duke u shtuar në numër. Krahas kërkesave për heqjen e pagesës për kreditë, shtyrjen e afatit të pagesës vjetore e pagesës me këste të tarifës, studentët shtuan në listën e kërkesave edhe përgjysmimin e tarifave, përfshirjen e përfaqësuesve të tyre në bordin administrativ, përmirësimin e kushteve në konvikte, shtimin e fondit për kërkim shkencor dhe shtimin e fondeve që shkojnë për arsimin nga buxheti i shtetit.
Pas këtyre kërkesave, kanë ardhur sërish edhe reagimet nga qeveria, duke kërkuar negociata. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar të dialogojë me studentët ndërsa ministrja e Arsimit Lindita Nikolla nëpërmjet një letre drejtuar Këshillave Studentorë të Universiteteve Publike, u ka kthyer përgjigje studentëve duke shprehur gatishmërinë e institucionit që ajo drejton për të diskutuar me studentët të gjitha çështjet e ngritura prej tyre.
Megjithatë, në mbyllje të protëstës për ditën e sotme, studentët duken të palëkundur. Ata nuk pranuan të negociojnë dhe kanë njoftuar se qëndresa vazhdon nesër, në orën 9 e 30, tek korpusi universitar.
Ergisa Bejkollari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.