Protesta e studentëve – Të rinjtë dorëzojnë 8 kërkesa në ministri, afati për realizim deri të martën
Këtë herë e diela, edhe pse ditë pushimi, nuk ka qenë e tillë për studentët të cilët marshuan drejt Ministrisë së Arsimit në ditën e 6 të protestës më të vendosur për kauzën e tyre.
Studentët përmes televizionit SCAN bënë thirrje për rezistencë duke mos pranuar negociata ata shtuan se nuk kanë munguar dhe tentativat për t’i përçarë qoftë edhe nga ana e pedagogëve. Prej ditësh në mbështetje të tyre kanë dalë edhe qytetarë të ndryshëm.
Të rinjtë nga fakultete të ndryshme të vendit kanë dorëzuar në ministri 8 kërkesa mes të cilave edhe përfaqësimi në bordin e administrimit të universitetit dhe rritjen e peshës së votës së studentëve deri në 50% për zgjedhjen e dekanëve apo rektoreve, mbështetje për kërkime shkencore, përmirësimi i kushteve në konvikte, dyfishim i buxhetit për arsimin si edhe pajisja e studentëve me kartën e studentit brenda vitit 2019 duke dhënë ultimatum ministrisë për realizimin e tyre deri ditën e martë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.