Protesta zhvendoset në Tiranë – Qytetarët: Të lirohen të arrestuarit
Kjo është thirrja që bëjnë qytetarët një ditë pas transferimit pranë drejtorisë së policisë së Tiranës, të 23 të arrestuarve që protestuan në rrugën e kombit. Të vendosur para drejtorisë së policisë së Tiranës që prej mbrëmjes së djeshme, qytetarë dhe familjarë të të arrestuarve të ardhur nga Kukësi i kërkojnë policisë dhe kryeministrit ti lirojnë sa më parë, ndërsa shprehen për televizionin SCAN se janë të vendosur për ta çuar protestën deri në fund në pamundësi të përballimit të taksës 5 euro për rrugën e kombit.
Në mbështetje të qytetarëve ishin dhe deputetë të Partisë Demokratike të cilët akuzojnë kryeministrin për padrejtësi ndaj qytetarëve duke i dhunuar dhe arrestuar.
Të martën pritet që të arrestuarit, të cilët aktualisht po mbahen në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës dhe në disa komisariate të kryeqytetit, të transferohen gjykatën e rrethit të Kukësit ku do të vendoset masa e sigurisë për ta.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.