Protestë te Unaza e Madhe – Banorët: Po na prishin banesat pa na lajmëruar. ARRSH: Projekti transparent
Për të dytën ditë me radhë dhjetëra banorë që preken nga projekti i Unazës së Madhe në kryeqytet kanë protestuar kundër prishjes së banesave.
Sipas tyre, deri më tani ata nuk janë informuar nga askush, ndërkohë që kanë hedhur akuza se edhe prishja e objekteve që ka nisur në teren po bëhet në mënyrë selektive.
Por, në një reagim Autoriteti Rrugor Shqiptar tha se procesi deri më tani ka qenë tejet transparent.
Sipas ARRSH, projekti i Unazës së Madhe të Tiranës, që parashikon rikualifikimin nga Pallati me Shigjeta deri te Sheshi Shqiponja është ne fazën e zbatimit, duke parashikuar edhe zgjidhjen e trafikut.
Po ashtu, sipas këtij dikasteri, projekti dhe gara e zhvilluar janë zyrtare dhe publike, ndërkohë që aktualisht po veprohet në territor, nga organet përkatëse të përfshira në proces.
Por, pavarësisht këtij qëndrimi, banorët kanë paralajmëruar se protestat e tyre do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke mos lejuar që banesat e tyre të shemben.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.