Protestuesit përleshen me policinë në Bruksel për kufizimet e reja anti-Covid!
Policia belge përdori topa uji dhe gaz lotsjellës të dielën për të shpërndarë disa protestues të zhurmshëm në Bruksel pasi shumica e demonstruesve marshuan në mënyrë paqësore për të protestuar ndaj kufizimeve të shtrënguara të COVID-19 që synojnë të luftojnë një rritje të infeksioneve me koronavirus.
Mijëra erdhën për të hedhur poshtë masat e reja të shpallura të premten, javën e tretë me radhë që qeveria ka shtrënguar rregullat e saj pasi një ortek rastesh të reja tensionoi shërbimet shëndetësore të vendit, duke privuar nga trajtimi njerëzit me sëmundje të tjera kërcënuese për jetën.
Turma kryesore në marshimin kryesisht paqësor të së dielës ishte shpërndarë tashmë kur rreth 100 protestues u përplasën me një barrikadë të policisë që rrethonte hyrjen në Komisionin Europian. Pas një përplasjeje të shkurtër me policinë, protestuesit hodhën plehra dhe objekte të tjera, duke përfshirë edhe një biçikletë, në drejtim të policisë dhe ndezën fishekzjarrë.
Policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar.
Të premten, kryeministri Alexander De Croo njoftoi se kopshtet dhe shkollat fillore do të mbyllen për festa një javë më herët dhe fëmijët tani duhet të mbajnë maska nga mosha 6 vjeç. Ngjarjet në ambiente të mbyllura do të lejohen vetëm me një maksimum prej 200 personash.
Më parë, qeveria mbylli klubet e natës dhe urdhëroi që baret dhe restorantet të mbylleshin në orën 23:00. për tre javë. Sipas shifrave të fundit të koronavirusit, kombi i BE-së prej 11 milionë banorësh duket se ka arritur një rekord rastesh të reja.
Në një mesatare javore, 17,862 raste të reja ditore u raportuan në Belgjikë, një rritje prej 6% krahasuar me javën e kaluar. Pranimet në spitale u rritën me 4%. Më shumë se 3,700 njerëz janë shtruar në spital me virusin, 821 prej tyre në kujdes intensiv. Më shumë se 27,000 njerëz me virus kanë vdekur në Belgjikë që nga fillimi i shpërthimit i virusit vitin e kaluar. EN
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.