Prova e gjashtë bërthamore për Korenë e Veriut deklarohet “sukses perfekt” – Ekspertët konfirmojnë fuqinë shpërthyese
Korea e Veriut deklaroi se ka përfunduar me sukses testimin e një bombe të avancuar me hidrogjen, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të duelit me Shtetet e Bashkuara rreth programit të vet bërthamor.
Prova konfirmohet nga zyrtarët japonezë e koreano-jugorë, të cilët kanë raportuar një tërmet në pikën e testimit të Koresë së Veriut, rreth 10 herë më të fuqishëm se shpërthimet e mëparshme, duke dalë në përfundimin se shteti ka kryer testin e tij të gjashtë nuklear.
“Testimi i bombës me hidrogjen i urdhëruar nga lideri Kim Jong Un ka qenë një sukses perfekt dhe ishte një hap domethënës në përmbushjen e programit të armëve bërthamore të vendit”, thuhej në njoftimin e televizionit shtetëror.
Bomba është dizajnuar për t’u montuar mbi raketat balistike ndërkontinentale të sapo zhvilluara.
Japonia, e cila përjetoi një moment kritik javën e kaluar kur një raketë koreano-veriore fluturoi mbi territorin e saj, ngriti menjëherë propozimin për shtimin e sanksioneve nga vendit të izoluar, teksa kryesekretari i kabinetit, Yoshihide Suga u shpreh se tashmë në tavolinë është edhe tregtia e naftës.
Një ekspert nuklear u shpreh se madhësia e shpërthimit mund të tregojë se është një test i mundshëm i një bombe me hidrogjen.
“Fuqia është 10 deri në 20 herë, ose mbase edhe më shumë se testimet e mëparshme. Shkalla është në një nivel ku çdokush mund të thotë se bëhet fjalë për këtë lloj bombe”.
Fakti që tërmetet e shkaktuara nga testimet nukleare të Koresë së Veriut janë rritur gradualisht, që prej testimit të parë në vitin 2006, tregon se vendi po përmirëson fuqinë shkatërruese të teknologjisë bërthamore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.