Prova e rezistencës në Europë – Deutsche bank rezulton dobët, asnjë nuk bie poshtë “5.5%”
Huadhënësi gjerman, Deutsche Bank, rezultoi në 10 bankat me performancën më të dobët në provën e rezistencës të Bashkimit Europian. Nën skenarin më të vështirë, banka më e madhe gjermane pati një normë të mjaftueshmërisë së kapitalit në 8.1% për 2020-ën, duke u renditur në vend të 40 nga 48 huadhënës që u testuan.
Investitorët prisnin që banka gjermane të kishte rezultat të dobët, ndërkohë që ka 3 vite me humbje. Investitorët po monitorojnë kapitalizimin e bankave dhe nëse kalojnë kufirin e kapitalit bazë kundrejt aktiveve të ponderuara me risk në 5.5%. Kontrolli i ndërmarrë nga Autoriteti Bankar Europian (EBA), mund të detyrojë huadhënësit që të rrisin kapitalin apo shesin aktivet e dobëta.
Megjithatë, shefi i Financave i Deutsche Bank, James von Moltke, tha se nuk do të ndryshohet mënyra e manaxhimit të bankës pas provës së rezistencës (stress test), duke shtuar se metodologjia e vlerësimit të brendshëm të bankës ndryshon nga testi i Autoritetit Bankar Europian.
Huadhënësit britanikë, Barclays dhe Lloyds, si dhe huadhënësi italian, Banco BPM, patën performancën më të dobët në stres test-in e Europës. Për Eurozonën në total, sektori bankar pati perfromancë të fortë në rast të një recesioni, sipas Bankës Qendrore Europiane.
Duke vlerësar 33 banka të Eurozonës, institucioni në Frankfurt deklaroi se raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit do të bie me 3.8% në 9.9%, në skenarin më të keq. Bankat në Europë mbeten ende mbrapa homologëve amerikanë, matur nga përfitueshmëria, cilësia e kredive dhe disiplina e kostove.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.