Pse çiftet konfliktohen për paranë?
Paraja është arsyeja kryesore që shkakton konflikte në marrëdhënie mes çiftesh, sipas një sondazhi të organizatave bamirëse ‘Relate’, ‘Relationships Scotland and Marriage Care’. Paraja është gjithashtu një shkak i zakonshëm i përçarjes mes familjes dhe miqve. Por çfarë e shkakton konfliktin?
Kur njerëzit zihen për mënyrën se si do t’i menaxhojnë paratë, shpesh ndodh sepse ata kanë qëndrime të ndryshme ndaj parave.
Qëndrimet tona ndaj parave janë formuar në jetën e hershme nga mjedisi dhe përvojat tona në familje. Por kjo nuk do të thotë që sjellja jonë sot kopjon sjelljen e prindërve. Nëse paratë gjithnjë mungonin në familjen ku je rritur, mund të bëhesh një shpërdorues i keq i tyre në jetën e mëvonshme.
Kuptimi i parasë për ne nuk qëndron vetëm tek transaksioni i tyre. Për disa prej nesh, paraja ofron siguri, për disa liri, për të tjerët është mënyra se si tregojmë dashuri, dhe për disa ajo ofron status dhe pushtet.
Pra, marrëdhënia jonë me paratë mund të jetë komplekse dhe thellësisht e rrënjosur, çka mund të shkaktojë keqkuptime dhe zhgënjime kur bashkohemi me dikë me një mendësi të ndryshme karshi parave.
Dikush mund të një kursyes i rreptë dhe nuk i pëlqen ta shohë partnerin e tij të shpenzojë shumë për shopping, fundjavave, apo aktivitete të tjera. Ndërkohë që partneri që shpenzon shumë, ju sheh si një njeri i rreptë i cili duhet të filloj të shpenzojë më shumë për t’u kënaqur më shumë. Kur marrëdhënia jonë me paranë është kaq e ngulitur që në fëmijëri, mund të na duket e habitshme marrëdhënia që partneri ynë ka me paranë.
Gjithashtu, bashkimi i të ardhurave në një marrëdhënie, pra kalimi nga ‘paratë e mia’ dhe ‘paratë e tua’, në ‘paratë tona’, mund të jetë i rrezikshëm dhe kërkon shumë kujdes. Nëse ndonjëri nga partnerët bën dukshëm më shumë para se tjetri, kjo mund të krijojë një disbalancë në marrëdhënien tuaj. Nuk ekziston një formulë e mirë për të ndarë paratë në një marrëdhënie.
Besimi është një pikë kryesore që duhet të rrethojë çdo marrëdhënie. Por shpesh herë kjo cilësi cënohet nga qasja e kundërt që mund të kenë partnerët karshi parasë. Ky cënim gradualisht shndërrohet në konflikt gërryes për marrëdhënien.
Po, paraja mund të shkaktojë konflikte në një marrëdhënie, megjithatë nuk duhet harruar asnjëherë arsyeja pse je në një marrëdhënie: Dashuria. Ndaj, çdo konflikt që mund të shkaktoj paraja është i zgjidhshëm nëpërmjet komunikimit. Është e rëndësishme të komunikoni në një marrëdhënie, të tregoheni empatik dhe të respektoni qasjen e kundërt të partnerit tuaj. SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.