Pse mbarëvajtja fiskale në BE duhet të rregullohet nga standarde dhe jo rregulla?
Nëse keni menduar se grindjet e Bashkimit Evropian rreth politikës fiskale ishin të këqija në dekadat e fundit, bëhuni gati për një grindje epike sapo të mbarojë kjo pandemi.
Për shkak të koronavirusit, rregullat e BE-së për borxhet dhe deficitet janë pezulluar dhe shumica e vendeve anëtare kanë tejkaluar jashtëzakonisht kufijtë e tyre normalë. Por vitin e ardhshëm duhet të flasim se kur do t’i zbatojmë rregullat përsëri. Duke pasur parasysh situatën e jashtëzakonshme makroekonomike, do të jetë joshëse që rregullat të ndryshojnë – për të disatën herë.
Megjithatë, ka një mënyrë tjetër: Mos ndryshoni rregullat, por hiqini qafe fare! Le t’i zëvendësojmë me diçka që lejon një gjykim të shëndoshë ekonomik. Në vend të rregullave, le të kemi standarde.
Kjo është teza e një studimi të ri e nga Instituti Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare në Uashington. Arsyetimi i tij elegant fillon me një shembull.
Rregulli më i përhapur është “Mos e ngisni makinën më shpejtë se 90 kmh.” I transferuar në standard, rregulli bëhet: “Mos e ngisni makinën me shpejtësi të tepruar”. Olivier Blanchard, Alvaro Leandro dhe Jeromin Zettelmeyer, autorët e studimit thonë se ndryshimi është që në rastin e parë norma juridike përcaktohet para ngjarjes (“ex ante”), në të dytën pas ngjarjes (“ex post”)
Në këtë shembull, rregulli mund të duket i mirë dhe i qartë, dhe në këtë mënyrë superior. E megjithatë, të gjithë kemi marr gjoba kur kemi ecur në autostrada me shpejtësi të madhe, edhe kur ato kanë qenë bosh, pa rrezik për jetën e ndonjërit. Ndërkohë, shumë njerëz e ngasin makinën në kufirin zyrtar edhe në trafik të ndërlikuar ose rrethana moti të vështira, duke rrezikuar shumë. Në të kundërt, standardi e mban fokusin te qëllimi: parandalimi i aksidenteve dhe shpëtimi i jetës.
Tani të kalojmë tek politika fiskale evropiane, e cila mbetet pothuajse tërësisht kompetencë e qeverive kombëtare. Kohë më parë, BE miratoi një standard të mirë në traktatet e saj: “Shtetet Anëtare duhet të shmangin deficitet e tepërta të qeverisë.” Por gjatë viteve 1990, në prag të bashkimit të monedhës, disa shtete anëtare dëshironin më shumë qartësi. Udhëheqësi i tyre ishte Gjermania, e cila ka një reputacion si e fiksuar pas rregullave. Kështu, në vitin 1997, lindi Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes.
Në fillim rregullat ishin mjaft të thjeshta. Shtetet anëtare nuk mund të përdorin deficite buxhetore më të larta se 3% të PBB-së, dhe borxhi i tyre publik nuk mund të kalojë 60%.
Si me shumë rregulla, sidoqoftë, pakti u prish pothuajse menjëherë, pasi u përplas me realitetet ekonomike. Ndonjëherë ishte shumë i rreptë, herë të tjera jo mjaft i ashpër. Kur Franca dhe Gjermania injoruan rregullat në 2003, ato nuk u ndëshkuan. Kjo minoi besueshmërinë e paktit.
Prandaj dhe është i fortë argumenti për shndërrimin e rregullave në standarde. Vendet e tjera e kanë bërë këtë me shumë sukses. Politika fiskale e Zelandës së Re është të “mbajë nivele të matura të borxhit publik” që peshojnë ndikimin në “gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”. Raporti i borxhit ndaj PBB-së është më i ulët se ai i Gjermanisë, e cila ka një ligj të ngurtë dhe të ndërlikuar.
Pavarësisht nëse tema është shpejtësia e autostradës ose borxhi, mbetet e vështirë të mire-përcaktohet se çfarë është “e tepruar” ose “e matur”. Por kjo është edhe më e vërtetë në hartimin e rregullave të sakta për një të ardhme hipotetike që nuk mund të parashikohet lehtë.
Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes, për shembull, u shkrua në një kohë kur ekonomistët dhe politikanët supozuan se norma e interesit do të tejkalonte qartë nivelin e rritjes ekonomike. Kjo çon në parashikime në të cilat borxhi shpejt bëhet “i paqëndrueshëm”.
Në vitet e fundit, megjithatë, normat e rritjes kanë tendencë të jenë më të larta se normat e interesit, dhe kjo ka të ngjarë të përsëritet në vitet e ardhshme. Kjo ndryshon të gjitha supozimet se si vendet duhet të paguajnë borxhet e tyre me kalimin e kohës.
Prandaj, BE duhet të lëvizë drejt një sistemi ku politika e tyre fiskale është e qëndrueshme dhe e kujdesshme. Komisioni Evropian, me ndihmën e një Bordi Fiskal Evropian të zgjeruar, mund të mos pajtohet nëse dëshiron, duke dërguar qeveritë kombëtare përsëri në parlamentet e tyre për buxhetet e reja. Mosmarrëveshjet do të dëgjohen nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Askush nuk po sugjeron që ne duhet të heqim qafe të gjitha rregullat. Por është koha të pranojmë se bota është komplekse dhe se ne nuk mund të rregullojmë gjithçka paraprakisht. Në vend të kësaj, ne duhet të kultivojmë gjykimin dhe përgjegjësinë.
D.B – SCAN
Burimi: Bloomberg Opinion
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.