Pse NUK duhet të postoni foto në rrjetet sociale gjatë pushimeve? Lidhet me sigurinë tuaj
Një pjesë e madhe e jona kemi zakonin që të postojmë foto në rrjetet sociale kur jemi me pushime. Mirë! Në këtë mënyrë u tregojmë miqve dhe të njohurve copëza nga jeta jonë…madje edhe mburremi pak.
Por a e keni menduar ndonjëherë se informacioni që po publikoni mund të përdoret për qëllime të ndryshme, një nga të cilat edhe të rrezikshme si p.sh vjedhja e shtëpive.
Është fakt tashmë se gjatë periudhës së verës, kur njerëzit ikin me pushime dhe lënë shtëpitë vetëm, shtohen vjedhjet e banesave.
E pikërisht, duke postuar foto e informacione për pushimet tuaja në rrjetet sociale, në një kohë që keni lënë dhe shtëpinë vetëm, mund të jeni duke u dhënë informacione e mundësi të pavullnetshme për ata që kanë këtë “profesion”.
A e keni menduar ndonjëherë se të shkruash në rrjetet sociale: “U nisëm! Shihemi pas 15 apo 20 ditësh!” mund të përbëjë një shans për dikë që të të boshatisë shtëpinë?
Ja pra, nëse ju deklaroni se do të qëndroni larg shtëpisë për një kohë të gjatë mund të përballeni me vjedhjen e banesës suaj.
Mes miqve të Facebook ose Instagram mund të dalë ndonjë mik që për shembull, nuk është edhe aq mik i mirë. Sa herë keni pranuar ftesa miqësie nga njerëz që nuk i njihni? Por mbi të gjitha sa herë e keni ndryshuar opsionin e privatësisë për fotot që publikoni duke i bërë disa të hapura për miqtë e miqve e disa të tjera të hapura për këdo?
Padija apo narcizismi luajnë në disfavorin tuaj dhe në favor të atyre që njihen si “hajdutët 2.0”. Hajduti në epokën e rrjeteve sociale, në fakt arrin të sigurojë akses në shumë profile ku merr të dhëna për profilin e viktimës e planifikon vjedhjen. Por me postimet tona në rrjetet sociale, lëmë te dhëna të vlefshme që ndihmojnë hajdutët që të planifikojnë një vizitë të lehtë në banesën tonë.
Ndaj kujdes!
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.