Pse qeveria shqiptare po vendos 100 lekë taksë për çdo kilogram pluhur qumështi? Detajet e paketës fiskale
Në paketën e re fiskale, qeveria shqiptare ka propozuar vendosjen e një takse prej 100 lek/kg për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur.
Referuar relacionit të nismës, ky propozim, konkretisht synon që të incentivojë prodhimin dhe tregtimin në vend të qumështit, me synim mbështetjen e fermerëve vendas. Kjo, duke marrë në konsideratë dhe faktin se, sektori i qumështit konsiderohet si sektor me përparësi nisur nga potenciali për zëvendësimin e importit.
“Ky projektligj synon të mbështesë blegtorinë, e cila është një sektor agroushqimor shumë i rëndësishëm në Shqipëri pasi rreth 1/2 e fermerëve janë të angazhuar në blegtori, duke përfshirë sektorin e bulmetit. Konkretisht, sektori i qumështit është një nga sektorët kryesorë agroushqimorë dhe prodhimi i qumështit ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit.
Konkretisht prodhimi i qumështit në vitin 2020 ka shënuar një rënie me 5,39 %, në krahasim me vitin 2019. Gjithashtu, rënie ka pësuar dhe sasia e qumështit të grumbulluar. Kështu, në vitin 2020, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 119 mijë ton nga rreth 140 ton që ishte në vitin 2019, duke pësuar një rënie prej rreth 14,80 %, krahasuar me vitin 2019.
Ndërkohë, vihet re një rritje në produktet që importohen për prodhimin e produkteve të bulmetit, ndër të cilët mjaft i rëndësishëm është qumështi pluhur.
Kështu, sasia e importuar e këtij produkti për vitin 2020 ka qenë në masën mbi 1.400 ton/vit, sasi kjo rreth 2.5 herë më e lartë krahasuar me atë të vitit 2016 që ka qenë rreth 560 ton/vit.
Qumështi pluhur përdoret në agroindustri (shpesh përzihet me qumësht të freskët) për të prodhuar produkte bulmeti, pjesërisht për të përballuar kostot e qumështit të freskët dhe pjesërisht për të mbuluar mungesat/hendekun ndërmjet sezonalitetit të kërkesës nga njëra anë dhe të ofertës së qumështit të freskët (të papërpunuar) në anën tjetër” shkruhet në relacionin e nismës.
Duke parashikuar një import mesatar prej rreth 1.000 ton qumësht pluhur në vit, referuar të dhënave të vitit 2019 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 (duke qenë se 2020 konsiderohet vit i vecantë për shkak të pandemisë), me vendosjen e taksës 100 lek/kg parashikohet një efekt financiar pozitiv në të ardhurat e shtetit me + 100 milion lekë në vit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.