Pse qeveria vendosi të rrisë borxhin publik në 80%? Zbardhet relacioni: 18 projektet e investimit ku rialokohen fondet
Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend aktin normativ për rishikimin e buxhetit të këtij viti, duke reflektuar disa ndryshime që tentojnë ta kthejnë buxhetin e shtetit në një stabilizator dhe si një instrument amortizues për efektet negative të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar dhe nga pandemia.
Në listën e ndryshimeve, veç rialokimeve të fondeve buxhetore dhe rishikimit në ulje ta parashikimeve për të ardhurat, qeveria ka vendosur të rishikojnë edhe kufirin për rritjen e borxhit publik; një lëvizje që konsiderohet si e përkohshme.
“Rritja vetëm si rrjedhojë e reduktimit të PBB-së nominale të parashikuar nga buxheti fillestar është rreth 8 pikë përqindje.
Ndërkohë, ndryshe nga rregulli fiskal i përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për targetimin e një niveli të borxhit publik më të ulët sesa një vit më parë, devijimi i përkohshëm nga ky rregull fiskal në këtë akt normativ, ku borxhi publik i pritshëm për vitin 2020 prej rreth 80% e PBB-së është më i lartë sesa ai i vitit 2019 prej 66% të PBB-së, është në përputhje me një prej rasteve të rrethanave të jashtëzakonshme, përcaktuar në nenin 4/4, shkronja “a”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, i ndryshuar, rast në të cilin qeveria mund të devijojë përkohësisht nga rregulli fiskal i sipërpërmendur.
Në përfundim, është me rëndësi të theksohet se përkeqësimi i parametrave të financave publike është tërësisht rrjedhojë e dy goditjeve tepër të forta që mori vendi dhe ekonomia dhe imponohet nga domosdoshmëria që në rrethana të tilla të jashtëzakonshme të utilizohet funksioni stabilizues i buxhetit të shtetit, si intrument kryesor për të amortizuar një pjesë të efekteve të forta negative të shkatuara nga këto dy goditje.
Ky përkeqësim i parametrave do të jetë i përkohshëm dhe në periudhën afatmesme politika fiskale do të rikthehet qartësisht drejt objektivit të saj prioritar të konsolidimit të qëndrueshëm fiskal” shkruhet në relacionin e aktit normativ.
Ndërkohë, ndryshimet parashikojnë:
-Reduktim në masën -63.1 miliardë lekë të planit të arkëtimeve të të ardhurave buxhetore, kundrejt planit fillestar 2020, si rrjedhojë e impaktit negativ të pandemisë Covid-19, ku pjesën kryesore e zë reduktimi i të ardhurave tatimore me rreth -57 miliardë lekë.
-Një rritje të shpenzimeve buxhetore prej rreth 30.16 miliardë lekë, me synim kryesor injektimin me financim të sektorëve prioritarë të ekonomisë, specifikisht përmes investimeve publike.
– Rritjen e defiçitit buxhetor, për rrjedhojë, në nivelin -132.9 miliardë lekë ose rreth 8.4% e PBB-së, nga përkatësisht 39.7 miliard lekë ose 2.2% e PBB-së që ishin sipas buxhetit fillestar dhe nga 68.7 miliardë lekë ose rreth 3.9% në rishikimin e parë sipas aktit normativ nr.6/2020.
– Të reflektojë për rrjedhojë, rritjen e borxhit publik total në nivelin e pritur prej rreth 80% të PBB, nga rreth 65% të PBB që pritej sipas buxhetit fillestar dhe nga rreth 69% e PBB në rishikimin e parë sipas aktit normativ nr.6/2020.
Shpenzime korrente:
-Financimin shtesë në masën 900 milionë lekë të nevojës së NJVQV-ve për bonusin e qirasë sociale në kuadër të tërmetit të datës 26.11.2019, deri në fund të vitit 2020.
-Alokimin e fondit shtesë prej 400 milionë lekësh për skemën e fermerëve, bazuar në tejkalimin e pritshërive të MBZHR-së për aplikimet e vitit 2020.
-Financimin në masën 400 milionë lekë të programit të ri të anglishtes dhe IT-së për ciklin e ulët.
-Alokimin e një fondi prej 200 milionë lekësh, si parakusht për përthithjen e mbështetjes buxhetore të BE-së në kuadër të projekteve IPA.
-Rritjen me 200 milionë lekë të fondit të planifikuar për skemën e papunësisë, si rrjedhojë e parashikimeve dhe pritshmërive deri në fund të vitit 2020.
-Sigurimin e organikës së mjaftueshme për strukturën e re të OFL-së prej 87 efektivësh, me një kosto prej 40 milionë lekësh.
– Rritjen e strukturës organike të Policisë së Shtetit me 500 efektivë të rinj, pa kosto shtesë në buxhet.
Shpenzime kapitale:
– Alokimin e fondit në masën 4 miliardë lekë për shpenzime shpronësimi dhe shlyerje detyrimesh të prapambetura në sektorin e infrastrukturës.
– Financimin shtesë prej 1 miliard lekësh për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi.
– Alokimin e fondit shtesë prej 3 miliardë lekësh për FSHZH, për programe zhvillimi.
-Alokimin e fondit prej 2 miliardë lekësh për projektin madhor të Unazës së Re të Tiranës.
– Financimin e projektit të Rrugës së Ersekës, në masën 800 milionë lekë.
– Financimin prej 600 milionë lekësh të studim-projektimit të tunelit të Llogarasë.
– Financimin prej 500 milionë lekësh të studim-projektimit të konvikteve nga Bashkia Tiranë.
– Financimin e By-Pass-it Tepelenë, në masën 300 milionë lekë.
– Akordimin e një fondi prej 573 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve e përshtatjen e godinës së SPAK.
– Alokimin e fondit shtesë prej 100 milionë lekësh për projektet e kanaleve ujitëse/kulluese.
– Financimin prej 73 milionë lekësh të studim-projektimit të aksit Sheshi Shqiponja Bulevardi i ri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.