Pse u shty sërish afati i ligjit për tapitë e tokave bujqësore? Relacioni: Procesi ka ngecur në bashkitë e zonave veriore
Këshilli i Ministrave ka shtyrë sërish afati i shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Nisma e depozituar në Kuvend propozon një shtyrje disa mujore. Afati i ligjit aktual përfundon me 31 dhjetor 2017 ndërsa me propozimin e Këshillit të Ministrave afati i ri bëhet 31 korrik 2018. Por cilat janë arsyet e një vendimi të tillë?
Referuar relacionit, nga informacioni i mbledhur nga bashkitë deri më datë 10 tetor 2017, rezulton se janë paraqitur 2 500 kërkesa nga familjet bujqësore. Për një pjesë të tyre, bashkitë kanë përfunduar plotësimin e titujve të pronësisë dhe familjet bujqësore janë pajisur me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi (AMTP) dhe po vijojnë me regjistrimin e akteve.
“Një ecuri e mirë e këtij procesi evidentohet në bashkitë Himarë, Mirditë, Bulqizë, Peshkopi, Mat dhe Klos, ndërsa në disa bashki të zonës veriore të vendit si Bashkia Shkodër, Malësi e Madhe, Kukës, Has, Tropojë etj., numri i kërkesave dhe trajtimi i tyre nga bashkitë respektive është shumë i vogël. Në këto zona është prezente dukuria që familjet bujqësore janë vendosur në tokat sipas kufijve të vjetër dhe bashkitë, duke respektuar kriteret e ligjit nr.7051, kanë detyrimin të plotësojnë dokumentacionin e pronësisë. Afati i plotësimit të AMTP-ve sipas ligjit përfundon më 31.12.2017” shkruhet në relacion.
Me qëllim që t’ju vihet në ndihmë përfituesve (familjeve bujqësore), që të formalizojnë pronësinë e tyre dhe t’a disponojnë atë ligjërisht, si dhe bazuar në ecurinë e deritanishme, sidomos vonesat në zonën veriore të vendit, në këtë projektligj propozohet që afati i përfundimit të këtij procesi të jetë data 31 korrik 2018.
“Nëse ky afat nuk do të shtyhet, pra procesi nuk përfundon në rrugë administrative, përfituesit, megjithëse, kanë të drejtë t’i drejtohen organeve gjyqësore (kjo e drejtë është e parashikuar në ligj), procesi do të shtyhet edhe më tepër në kohë dhe do të shoqërohet me kosto më të mëdha për përfituesit” shkruhet në relacion.
Po ashtu, në relacion evidentohet se procesi i vlerësimit të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore kryhet prej komisioneve vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, pranë prefektëve të ҫdo qarku dhe mbikëqyret nga Komisioni Qeveritar i Tokës.
“Shtyrja e afatit të plotësimit të titujve të pronësisë bën të nevojshme edhe shtyrjen e afatit të verifikimit të këtyre titujve të lëshuar nga bashkitë. Për këtë arsye, në projektligj parashikohet që afati i përfundimit të verifikimit të titujve të pronësisë të jetë data 31 korrik 2018. Kjo zgjatje afati do të shërbejë edhe për të trajtuar kërkesat e papërfunduara, me vendim administrativ, për të ndjekur volumin e madh të procedurës gjyqësore, për kërkesat e paraqitura në gjykatë etj” shkruhet në relacionin e nismës që do të shqyrtohet fillimisht nga komisionet për të vijuar më pas në votimin në seancë plenare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.