Publikimi i statistikave – BSH fikson orën dhe përdoruesit e privilegjuar
Banka e Shqipërisë ka miratuar një dokument që do të rregullojë standardet e përgatitjes dhe publikimit të statistikave financiare.
Kodi i praktikave për statistikat në Bankën e Shqipërisë për herë të parë përcakton që statistikat do të publikohen jo vetëm sipas një kalendari paraprak gjashtëmujor, por edhe me një orar të saktë.
Sipas Kodit, statistikat duhet të publikohen brenda orës 10.00 të datës së përcaktuar në kalendar. Departamenti i Statistikave Financiare në Bankën e Shqipërisë do të raportojë statistikat pranë Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Eurostat-it dhe Bankës Qendrore Europiane, çka do të mundësojë disponimin e informacionit të përditësuar mbi statistikat financiare shqiptare pranë gjithë institucioneve të mësipërme.
Përveç përdorimit për nevoja analitike të këtyre institucioneve, kjo do të mundësojë edhe një informacion statistikor krahasues me vendet e tjera për treguesit e raportuar.
Kodi parashikon këmbime statistikore me Instat dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, bazuar në Memorandume të veçanta mirëkuptimi. Praktikat e publikimit do të mbështeten në parimin e barazisë së aksesit, megjithatë, aktorë të veçantë do të kenë të drejtën e disponimit të parakohshëm dhe të privilegjuar të statistikave.
Këtu përfshihet Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe strukturat e angazhuara në hartimin e politikave monetare. Jashtë Bankës së Shqipërisë, aksesi i privilegjuar në informacion mund t’i jepet Ministrisë së Financave, me autorizimin e Guvernatorit dhe në rastet kur kjo gjykohet e domosdoshme për ndërmarrjen e veprimeve të shpejta.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.