Publikohen të dhënat/ Ibrahimaj: Nga 420 subjekte, 191 me shkelje të legjislacionit tatimor
Të paktën që në prill, Administrata Tatimore ka filluar paralajmërimet për të gjithë bizneset turistike shqiptare që operojnë në Booking.com, Air Bnb, e në fakt nuk janë të regjistruara pranë QKB-së.
Që atëherë, strukturat e monitorimit në terren kanë vijuar me zbatimin e planit kundër informalitetit për sektorin e turizmit të përqendruar në njësitë akomoduese të publikuara në booking.
Që nga 4 korriku janë kontrolluar 420 subjekte, prej të cilave, 191 prej tyre të konstatuara me shkelje të legjislacionit tatimor.
“Vetëm Për zonën e Sarandës janë 413 njësi në booking, të cilat po verifikohen nga 9 grupe të monitorimit në terren, për regjistrimin dhe respektimin e detyrimeve ligjore- lëshimi i kuponit, publikimi i listës së çmimeve, deklarimi i punonjësve etj.” tha Drejtoresha e Përgjithshme e DPT, Delina Ibrahimaj, në një njoftim zyrtar për mediat.
Sipas njoftimit, shkeljet kryesore janë konstatuar në mungesën e dhënies së kuponëve tatimorë, prej të cilave ka pasur 35 tatimpagues të penalizuar. Po ashtu, 30 biznese kanë qënë të paregjistruara në QKB, operimi i të cilave është bllokuar deri në momentin e regjistrimit në QKB dhe në organet tatimore.
Problem vazhdon të mbetet edhe mos deklarimi i punonjësve. Nga kontrollet e bëra, rezulton se 15 biznese kanë pasur punëtorë të padeklaruar, këto të fundit, kryesisht biznese të vogla.
“Vetëm në datën 11 Gusht janë kryer 33 kontrolle dhe janë konstatuar 15 shkelje të legjislacionit tatimor, nder të cilat 4 subjekte të paregjistruara” u shpreh Ibrahimaj për mediat.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.