Publikohet dokumenti: Ja çfarë përmban marrëveshja tregtare Amerikë – Japoni
Të premten, nëpërmjet publikimit të dokumentit zyrtar, Shtëpia e Bardhë, bëri të qarta objektivat në lidhje me bisedimet ekonomike me Japoninë, duke vendosur si datë fillimi 20 janarin.
Euronews shkruan se në dokumentin e publikuar, SHBA-ja synon të arrijë depërtimin pa taksa doganore të produkteve amerikane në tregun japonez. Gjithashtu, synohet të reduktohen apo eliminohen tarifat për produktet agrikulturore dhe të negociohen tarifa të tjera.
Washingtoni po kërkon barazi në sektorin e pajisjeve motorike dhe për këtë arsye do të mundohet të sigurojë që Japonia nuk do manipulojë kursin e këmbimit për të fituar avantazh konkurrues në mënyrë të padrejtë. Megjithatë, deklarata të tilla nuk kanë mbetur pa pasoja pasi tashmë Japonia i trembet faktit që Amerika do e trajtojë si manipulim çdo veprim të së ardhmes që do të kryhet me kursin e këmbimit.
Kujtojmë që këtë muaj, sindikata e Prodhuesve Amerikanë të Makinave i kërkoi presidentit Trump vendosjen e tarifave mbi importin e makinave apo pjesëve të tyre nga Japonia. Prodhuesit amerikanë shpresojnë se kjo do ndikojë në eksportet e tyre në Japoni. Në një deklaratë, senatori demokrat Ron Wyden, e mbështeti tentativën e shtetit amerikan për tu hapur ndaj tregut japonez, por kritikoi objektivat e vendosura duke thënë se mungon analiza më e detajuar.
Sa i përket tregtisë së jashtme, shteti amerikan është përballuar me surpriza të shumta si lufta tregtare me Kinën, rishikimi i marrëveshjes NAFTA dhe largimi i Amerikës nga Marrëveshja Trans-Atlantike.
Burimi: Euronews
Përshtati për Scan: Ergisa Bejkollari
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.