Publikohet ligji i ri – Ja taksat dhe tarifat e reja vendore. Si kryhet pagesa për zënien e hapësirave publike dhe fasadave
Është publikuar në “Fletoren Zyrtare” ligji i ri për financat e vetëqeverisjes vendore. Ky ligj i cili pritet të hyjë në fuqi pas 15 ditësh përcakton rregullat, parimet, procedurat e financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore, përfshirë të ardhurat e veta nga taksat dhe tarifat vendore, taksat e ndara, transfertat nga Buxheti i Shtetit, si dhe të ardhurat e tjera të parashikuara me ligj.
Gjithashtu, ligji synon të përcaktojë rregullat bazë për madhësinë dhe ndarjen e transfertave të qeverisjes qendrore te njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe përcaktimin e rregullave për politikat, instrumentet dhe procedurat për menaxhimin e financave publike në nivel vendor.
Më poshtë mund të lexoni taksat dhe tarifat vendore që do të paguajnë qytetarët dhe bizneset. Publikohen gjithashtu tarifat për zënien e hapësirave publike dhe fasadave, si dhe rregullat dhe kriteret për vendosjen e taksave të përkohshme vendore
Të ardhurat nga taksat vendore
Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të administrojnë taksat vendore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Llojet e taksave vendore janë si më poshtë:
a) taksa mbi pasurinë e paluajtshme, në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin, si dhe mbi transaksionet e kryera me to;
b) taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja;
c) taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier;
ç) taksa e tabelës;
d) taksa vendore të përkohshme, të cilat vendosen sipas mënyrës së parashikuar në ligj;
dh) taksa vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël;
e) taksa vendore mbi të ardhurat vetjake, taksa mbi të ardhurat e krijuara nga dhuratat, trashëgimitë, testamentet ose lotaritë vendore;
ë) taksa të tjera, të përcaktuara me ligj.
Rregulla të përbashkëta për taksat vendore
Njësitë e vetëqeverisjes vendore krijojnë, mbajnë dhe përditësojnë Regjistrin e Personave Fizikë e Juridikë që kanë detyrimin për të paguar taksat dhe tarifat vendore, sipas kategorisë së detyrimeve tatimore, përfshirë përjashtimet apo lehtësimet fiskale për kategori të caktuara taksapaguesish. Forma dhe përmbajtja e regjistrit përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Financave. Të dhëna statistikore mbi këtë regjistër i dërgohen Ministrisë së Financave të paktën një herë në vit.
Baza e taksave dhe tarifave, si dhe niveli i tyre, çdo përjashtim apo ulje, afati i pagesave, si dhe gjobat e kamatëvonesat e aplikueshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, botohen dhe bëhen të njohura publikisht.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të hyjnë në marrëveshje me njëra-tjetrën apo me agjentë tatimorë për mbledhjen e të ardhurave vendore me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas një procedure transparente dhe konkurruese.
Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja, kryesisht, përdoren për financimin e investimeve publike vendore.
Për taksën e pasurisë së paluajtshme, këshilli bashkiak vendos nivelin e taksës në kufijtë plus 30 për qind dhe minus 30 për qind të nivelit tregues të taksës për kategorinë përkatëse.
Rregulla për vendosjen e taksave të përkohshme vendore
Këshilli njësisë së vetëqeverisjes vendore ka të drejtë të vendosë taksë të përkohshme për ofrimin e shërbimeve dhe të investimeve publike specifike, për një periudhë të caktuar kohore.
Vendosja e taksës së përkohshme paraprihet nga hartimi i planit, që përmban, të paktën:
a) përcaktimin e shërbimit apo investimit specifik që financohet nga taksa e përkohshme;
b) kohëzgjatjen e taksës së përkohshme, e cila nuk mund të zbatohet për më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi, dhe shumën totale e vjetore të të ardhurave që pritet të mblidhen;
c) koston dhe afatet e kryerjes së shërbimit e investimit, përfshirë pjesën që financohet nga taksa e përkohshme dhe nga burime të tjera, përfshirë edhe pjesën e financimit nga buxheti i bashkisë.
Ky plan i paraqitet komunitetit vendor në, të paktën, tre konsultime publike, të kryera në një periudhë jo më pak se pesë muaj. Pas këtyre dëgjesave publike, plani miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Taksa të përkohshme mund të vendosen edhe për qëllime që i shërbejnë vetëm disa zonave të caktuara të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Baza e llogaritjes së taksës së përkohshme për çdo tatimpagues është vlera e taksës së pasurisë së paluajtshme të tatimpaguesit në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore. Niveli i taksës së përkohshme nuk mund të jetë më i lartë se 35 për qind e bazës së taksës, sikurse përcaktuar në pikën 6 të këtij neni.
Të ardhurat nga taksa e përkohshme mund të shpenzohen vetëm për qëllimet e përcaktuara në vendimin e këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore që miraton taksën dhe nuk mund të konsiderohen si të ardhura korrente në llogaritjen e kufijve të borxhit të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore nuk mund të aplikojnë me shumë se dy taksa të përkohshme gjatë një viti buxhetor.
Tarifa vendore
Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të vendosin tarifa për një shërbim që këto njësi ofrojnë apo për një të drejtë që u jepet individëve, personave fizikë dhe/ose juridikë.
Niveli i tarifës orientohet në mbulimin e kostos së shërbimit publik të ofruar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin tarifa vetëm për shërbimet publike, konsumi ose përfitimi i të cilave, në parim, është i matshëm për përdoruesit apo përfituesit, duke përdorur instrumente të përshtatshme për të siguruar aksesin, cilësinë, sasinë dhe koston e përballueshme nga të gjithë. Përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në ligje të veçanta, këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore përcakton nivelet e tarifave vendore.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore krijojnë të ardhura nga këto tarifa vendore:
a) tarifa për zënien dhe përdorimin e hapësirës publike dhe të fasadave;
b) tarifa për mbledhjen dhe largimin e mbetjeve;
c) tarifa për furnizimin me ujë dhe kanalizimet;
ç) tarifa për shërbimin e ujitjes dhe të kullimit;
d) tarifa për shërbimet administrative dhe dhënien e licencave, lejeve e autorizimeve;
dh) tarifa të përkohshme, në përputhje me rrethana të përcaktuara në ligj;
e) tarifa të tjera, të përcaktuara nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore;
ë) tarifa të tjera, të përcaktuara në ligj.
Tarifa për zënien e hapësirës publike dhe të fasadave
Njësitë e vetëqeverisjes vendore vendosin tarifa për zënien e hapësirës publike dhe të fasadave si më poshtë:
a) për zënien e hapësirës në zonat publike ose para mjediseve të biznesit, për qëllime biznesi, përfshirë këtu tavolinat jashtë për bare dhe restorante;
b) për përdorimin e tabelave të reklamave;
c) për zënien e hapësirave të parkimit për mjetet motorike;
ç) për zënien e sipërfaqeve për kamping, ngritje tendash dhe mjetesh të tjera për përdorim të përkohshëm;
d) për zënien e brigjeve ujore për biznes dhe qëllime të tjera;
dh) për mbajtjen dhe përdorimin e pajisjeve e të mjeteve të lundrimit dhe objekteve të tjera në det, lumenj ose liqene;
e) për mbajtjen dhe përdorimin e barkave e të platformave pluskuese, përjashtuar këtu barkat që përdoren nga organizatat e angazhuara në mirëmbajtjen dhe shënjimin e rrugëve ujore;
ë) për restorante dhe mjedise të tjera ushqimi dhe argëtimi pranë detit, lumenjve ose liqeneve;
f) për zënien e hapësirës publike për rulotë dhe trajlerë, përveç automjeteve bujqësore dhe makinerive bujqësore;
g) për zënien e hapësirës publike për mbajtjen e materialeve të ndërtimit;
gj) tarifa të tjera, që mund të vendosen me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Në vendosjen e këtyre e tarifave, si rregull, ndiqen këto parime dhe kritere:
a) vendndodhja (zona) ku ushtrohet veprimtaria, për të cilën vendoset tarifa;
b) karakteristika të tjera objektive dalluese të personave fizikë ose juridikë që zënë hapësirën publike.
Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore përcakton, me vendim, nivelin e tarifave vendore, zonat dhe përdoruesit, përfshirë përjashtimet e lehtësimet, afatet dhe metodat e pagesës së tarifave.
Tarifa për shërbime administrative
Këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore mund të vendosin tarifa për lëshimin e dokumenteve zyrtare nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Nëse niveli i këtyre tarifave nuk përcaktohet në ligje të tjera, këto tarifa mbulojnë kostot aktuale të shërbimit për të cilin bëhet pagesa e tarifës.
Tarifa të tjera
Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin tarifa për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit. Niveli i këtyre tarifave përcaktohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe vendoset për individët, personat fizikë ose juridikë që ushtrojnë aktivitete, efekti i të cilave në mjedis është i qartë, i matshëm dhe i atribueshëm për aktivitetin në fjalë.
Të ardhurat nga tarifat e shërbimeve të tjera publike
Njësitë e vetëqeverisjes vendore propozojnë ose miratojnë, sipas legjislacionit në fuqi, tarifa për mbledhjen dhe heqjen e mbetjeve, si dhe për furnizimin me ujë dhe kanalizimet.
Niveli i tarifave të shërbimeve publike, si rregull, synon mbulimin e kostos dhe është në përpjesëtim të drejtë me konsumin nga individët, personat fizikë ose juridikë.
Rregullat për përcaktimin e nivelit të tarifave të shërbimeve publike përcaktohen nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas legjislacionit në fuqi. Autoritetet e qeverisjes qendrore, përgjegjëse për politikën kombëtare të këtyre funksioneve, mund të rekomandojnë metodologji kombëtare për caktimin e nivelit të tarifave për këto shërbime.
Të ardhurat nga asetet dhe veprimtaritë ekonomike
Njësitë e vetëqeverisjes vendore krijojnë të ardhura nga dhënia me qira e aseteve në pronësi ose në përdorim të tyre, sipas legjislacionit në fuqi. Të ardhurat nga qiraja konsiderohen të ardhura korrente dhe mund të përdoren për çdo shpenzim të autorizuar në buxhet.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore krijojnë të ardhura nga shitja e pronave të veta, sipas legjislacionit në fuqi.
Tardhurat nga shitja e aseteve në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, me jetëgjatësi më të madhe se një vit, konsiderohen si të ardhura kapitale dhe përdoren për qëllime investimi.
Të ardhurat nga veprimtaritë ekonomike të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe dividendi që i përket njësisë së vetëqeverisjes vendore në shoqëritë tregtare fitimprurëse, përveç atyre të shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, kalojnë në buxhetin e përgjithshëm të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Shitja ose dhënia me qira e pronave dhe aseteve të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në çdo rast, i nënshtrohet një procedure transparente dhe konkurruese. Asetet dhe pronat e ofruara për shitje ose dhënie me qira duhet të publikohen, së bashku me kriteret që duhet të plotësohen, sipas legjislacionit në fuqi.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.