Publikohet udhëzimi/ Si do mblidhen nga OSHEE gjobat për mosmbajtjen e maskave. Çfarë ndodh nuk paguhet fatura
Personat që do të gjobiten për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse në ambiente të hapura do të marrin ‘faturën’ me detyrimin mujor të energjisë elektrike. Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi që parashikn se pas vendosjes së gjobës, Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake dërgon brenda 14 ditëve procesverbalin e vendosjes së gjobës në Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU) sh.a./ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP (OSHEE) sh.a.
“Ky procesverbal,në çdo rast,duhet të përmbajë minimalisht informacionin në lidhje me emrin, mbiemrin, atësinë, numrin e kartës së identifikimit, si dhe adresën e banimit të individit. FSHU-ja,për rastet kur individët kanë kontratë furnizimi energjie,do të regjistrojë gjobën në faturën e energjisë elektrike të muajit respektiv. Kur FSHU-ja konstaton se individi nuk ka kontratë furnizimi të energjisë elektrike ose të dhënat e pasqyruara në gjobë nuk janë të plota apo nuk korrespondojnë me të dhënat në sistemin e faturimit të FSHU/OSHEE, i kthen procesverbalin e gjobës,sipas rastit,Policisë së Shtetit ose Policisë Bashkiake.
Gjoba, e përfshirë në faturën e energjisë elektrike, do të jetë titull ekzekutiv dhe nuk do të mund të paguhet pjesërisht apo e shkëputur nga fatura e energjisë elektrike. Pagesa jashtë afateve do të shoqërohet me kamatëvonesat përkatëse në përputhje me kontratën e energjisë elektrike të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Mospagesa e gjobës,si pjesë përbërëse e faturës,do ta klasifikojë individin si debitor ndaj FSHU-së dhe kontrata përkatëse e energjisë elektrike do të dërgohet për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, sipas afateve dhe procedurave tëpërcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë” përcaktohet në udhëzim.
FSHU-ja derdh gjithë vlerën e gjobës në buxhetin e shtetit në llogarinë e thesarit, duke përjashtuar komisionet e shpenzimeve administrative në masën 2%. Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake rakordojnë me OSHEE-në arkëtimet periodike në llogarinë bankare në emër të OSHEE-së nga pagesat e faturave të energjisë elektrike për individët që kanë kontratë me OSHEE-në.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.