Publikohet vendimi i ri / Urdhërohet ndalimi i peshkimit në liqenin e Shkodrës
Nëpërmjet një botimi të publikuar në Fletoren Zyrtare është bërë me dije se peshkimi në liqenin e Shkodrës do të jetë i ndaluar për një afat të caktuar. Ndryshimi ka ardhur si propozim i Drejtorisë së Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës.
Referuar njoftimit është urdhëruar:
-Ndalimi i peshkimit, me çfarëdo lloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum i të gjitha llojeve të peshqve në liqenin e Shkodrës, nga data 1.4.2021 deri më 30.6.2021, me përjashtim të ngjalës, e cila lejohet të peshkohet vetëm me grepa dhe vetëm për periudhën 1.4.2021 deri 30.4.2021, siç është parashikuar në Planin e Menaxhimit të Ngjalës.
-Për periudhën 1.5.2021–30.6.2021, ndalimi i peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 ml nga bregu.
-Vendbazimi i varkave të peshkimit do të jenë vendet e përcaktuara nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit (OMP),“Liqeni i Shkodrës”.
-Për periudhën njëmujore të lejimit të peshkimit të ngjalës, nga ana e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Shkodër, të ketë monitorim të sasive ditore të peshkuara. Sasia e ngjalës së zënë grumbullohet dhe tregtohet te Qendra e Parë e Ankandit Shirokë.
-Peshku (speciet e familjes Krap) i bllokuar nga Roja e Peshkimit (OMP-Liqeni Shkodër) dhe nga kontrollet e përbashkëta të Rojes së Peshkimit(OMP-Liqeni Shkodër), Inspektoratit të Peshkimit, Policisë Kufitare apo strukturave të tjera që ngarkon ky urdhër, grumbullohet dhe ruhet në Qendrën e Ankandit të Parë Shirokë.
-Për zbatimin e këtij urdhritë hartohet një Plan i Përbashkët Operativ Veprimi nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës në koordinim me OMP-në e këtij liqeni.
-OMP-Liqeni i Shkodrës të marrë të gjitha masat e zhvendosjes së objekteve ku peshqit (gjuhcë) kanë lëshuar vezët, në rastet e rënies së nivelit të ujit në liqenin e Shkodrës.
-Ngarkohet Drejtoria e Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës në varësi të së cilës është Sektori i Kontrollit të Peshkimit, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës, që të monitorojnë zbatimin e Planit Operativ të Veprimit për zbatimin e këtij urdhri, duke bashkëpunuar me strukturat e qeverisjes vendore, Drejtorinë e Policisë së Rendit dhe atë Kufitare në qarkun e Shkodrës. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletore Zyrtare.
N.Xh / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.