Puna në të zezë – Në 2016 u “kapën” 1831 punonjës, Vlora mban rekord
Puna në të zezë, ku punëdhënësit nuk deklarojnë punonjësit e tyre, duke iu shmangur kështu detyrimeve të pagesave për sigurime shëndetësore dhe shoqërore, apo taksave mbi pagën, vijon të mbetet një shqetësim në vend.
Vitin që lamë pas, Inspektoriati Shtetëror i Punës, ka zbuluar 1831 punonjës informal në sipërmarrje, të cilët i ka përfshirë në skemën e sigurimeve, shifër kjo në rritje krahasuar me vitet e mëparshme.
Kështu, sipas raportit vjetor të këtij institucioni gjatë viti 2015 janë zbuluar 1708 punonjës në të zezë, në 2014-ën, 1757 dhe në vitin 2013, 1031 punëmarrës pa të drejta. Punësimi informal më së shumti haset në sektorin e Tregtisë dhe të Shërbimeve, me 42% e punëmarrësve në të zezë gjatë 2016.
Kështu, Inspektoriati i Punës i ka orientuar inspektimet në këtë sektor duke zgjedhur dhe sezonin e verës në zonat turistike, si periudhë kur ky aktivitet ka pikun e tij.
Vetëm gjatë sezonit turistik, u konstatuan në 475 punëmarrës informalë, ku u arrit të formalizohej marrëdhënia e punës për 98% prej tyre.
Qarku më problematik në këtë drejtim ka qenë Vlora me 162 punonjës të konstatuar në të zezë dhe qarku më i rregullt ka rezultuar Fieri, ku nuk është konstatuar asnjë punonjës në të zezë. Në total janë inspektuar 742 subjekte.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.