Punësimet sezonale – Vishkurti: Pritet një promovim i lartë i turizmit dhe sensibilizim
Punësimi i 500 personave me kontratë të përkohshme për sezonin e verës 2018, do të sjellë një promovim të lartë të resurseve që ofron vendi ynë në çdo pikë hyrëse dhe turistike.
Kështu është shprehur për televizionin SCAN, drejtori i administrimit të zonave të mbrojtura për Tiranën, Ilir Vishkurti, një ditë pas vendimit të këshillit të ministrave për punësimet sezonale.
Vishkurti sqaron se kjo është pjesë e projektit “Smile Albania” të ndërmarrë nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që do të sjell një mirëmenaxhim të zonave turistike përmes angazhimit për dy muajt e verës, korrik dhe gusht, të 500 të rinjve dhe të rejave.
Vishkurti theksoi se ky vendim do të ndikoj edhe në sensibilizimin e banorëve vendas për rëndësinë e zonës ku jetojnë për ta mirëmbajtur atë.
Sipas vendimit të miratuar një ditë më parë, punonjësit me kontratë të përkohshme do të përfitojnë pagën bazë minimale, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
Fondi i pagave për 500 punonjësit do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018, në shumën 35 010 000 (tridhjetë e pesë milionë e dhjetë mijë) lekë, i cili i akordohet programit buxhetor “Zhvillimi i turizmit”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.