Punësimi në SHBA – Ngadalësohet për Dhjetorin, tregu i afrohet punësimit të plotë
Punësimi në Shtetet e Bashkuara është ngadalësuar më shumë se ç’pritej gjatë Dhjetorit, megjithatë rritja e pagave tregon për një fuqizim të tregut të punës, që mund të bindë Rezervën Federale për të rritur normën e interesit në muajin Mars. Punësimi u rrit me 148 mijë persona muajin e kaluar, pas një rritjeje me 252 mijë në Nëntor, raporton Departamenti i Punës.
Norma e papunësisë mbeti e pandryshuar në nivelin më të ulët në 17 vite, në 4.1%. Ekonomia amerikane duhet të krijojë 75,000 – 100,000 vende pune në muaj për të ruajtur rritjen në popullsinë në moshë pune.
Rritja e punësimit mori vrull në Tetor dhe Nëntor, pas ngecjes në muajin Shtator si pasojë e uraganëve. Të ardhurat mesatare për orë u rritën me 9 cent, apo 0.3% në Dhjetor, pas një rritjeje me 0.1% në muajin e kaluar.
Kjo e çoi normën vjetore të rritjes në 2.5%, nga 2.4% që ishte në Nëntor. Rritja e punësimit në SHBA po ngadalësohet ndërkohë që tregu arrin punësimin e plotë, megjithatë mund të marrë një nxitje të përkohshme nga paketa e uljeve tatimore prej 1.5 trilionë dollarë të kaluar nga kongresi republikan.
Për të gjithë 2017-ën, ekonomia krijoi 2.1 milionë vende pune, poshtë 2.2 milionë që u regjistrua në vitin 2016. 2017-a shënoi vitin e 7 radhazi që ekonomia gjeneron më shumë se 2 milionë vende pune.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.