Punimet në “Rrugën e Arbrit” – Përfundojnë 2 ura, Gjiknuri: E mbyllim brenda afatit
Punimet në Rrugën e Arbrit janë fokusuar në 35 km e parë, ndërkohë që është përfunduar ndërtimi i 2 urave.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kanë inspektuar vijimin e punimeve në këtë aks rëndësishëm rrugor, që sikurse është bërë me dije do të përfundojë brenda 44 muajsh apo në korrik të vitit 2021.
“Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”.
Gjiknuri u ndal te forma e financimit të këtij projekti, të cilën e vlerësoi si të suksesshme në krahasim me veprat që financohen nga buxheti i shtetit.
“Meqë jemi dhe në kuadër të PPP-ve, kjo është prova e parë që po ecim me ritëm edhe më të shpejtë se sa projektet që paguhen me buxhetin e shtetit. Veprën mund ta fillosh ti, por vepra mund të shkojnë dhe 10 vjet siç kanë vajtur. Me këtë ritëm që kanë këta do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar”, tha ministri.
“Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Rruga e Arbrit ka një gjurmë të drejtpërdrejtë Tiranë- Dibër, duke kaluar nga Qafë- Murriza, Guri i Bardhë, Ura e Vashës në Bulqizë dhe Dibër. Sipas projektit nga Tiranë në Bulqizë ajo do të ketë një gjatësi prej 50 kilometra dhe nga Tirana në Bllatë 74 kilometra.
Në këtë segment rrugor parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1500 metra, si dhe ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2600 dhe 560 metra.
Kosto totale e saj arrin në 240 milionë euro, ndërkohë që sipas kontratës së Partneritetit Publik Privat, shteti do të likuidojë kontraktorin brenda 13 viteve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.