Pushime me familjen në Malta dhe ishujt e saj
Malta është një destinacion perfekt për pushime familjare, i mbushur me vende argëtuese për ju dhe fëmijët tuaj. Përmasat e ishullit të vogël lehtësojnë çdo aktivitet: të vizitoni pika historike, të bëni pazar në qendër, apo të laheni në det.
Ja disa nga arsyet se pse Malta duhet të jetë në listën tuaj për këto pushime.
Plazhet me rërë dhe vendet për të notuar
Një nga plazhet më të mira për familjet në Maltë është Gjiri i Artë. Fëmijët më të rritur mund të provojnë surfing me vela, apo vozitje; ndërsa relievi nënujor bën që deti të jetë i sigurt për fëmijët më të vegjël .
Malta ofron edhe larmishmëri gjiresh të tjera, ranore dhe shkëmbore të përshtatshme për fëmijët e çdo moshe. Edhe ishulli Gozo ofron po ashtu gjire më rërë dhe ranore, ndërsa më aventurierët mund të shkojnë në ishullin thuajse të boshatisur Comino, ku mund të eksploroni edhe shpella bregdetare, apo të notoni në Lagunën Blu.
Historia që vjen në jetë
Malta ofron një sërë muzeumesh, të cilët do t’u duken interesantë edhe fëmijëve tuaj. Muzeu Kombëtar i Luftës është i vendosur në fortesën e Shën Elmos në majë të gadishullit të Valletta-s. Muzeu përdor ekrane të animuar, të cilët sjellin në jetë historinë e gjatë dhe emocionuese të ishullit. Madje ekspozitat audiovizuale në Valletta përdorin efekte speciale dhe teknologjinë 5D për të treguar historinë, shoqëruar me aroma dhe ndenjëse që lëvizin.
Gjithashtu mund të vizitoni inskenimet e luftërave në fortesën Rinella, ose të vizitoni qelitë e vjetra në Portin e Madh të Valletta-s.
Madje në juglindje të Maltës mund të vizitoni edhe tempuj parahistorikë dhe shpella me stalagmite dhe stalagtite.
Parqe tematike dhe sportet ujore
Nëse ju pëlqen marinari Popeye, jeni me fat pasi skenat e filmit të xhiruar në vitin 1980 janë shndërruar në një fshat tematik, ku mund të xhironi filmat tuaj.
Parqet ujore do të jenë padyshim të preferuarat për fëmijët tuaj, por mund t’i mahnisni edhe më tej duke vizituar Akuariumin Kombëtar të Maltës, të ndërtuar në formë ylli deti, ku ka plot peshq të veçantë dhe me ngjyra.
Kurset e zhytjes dhe aktivitetet ujore si vozitja me varkë ose kajak gjenden gjithashtu kudo në Maltë.
Ushqimi
Kuzhina malteze është e ndikuar shumë nga kuzhina italiane, kështu që ka plot pica dhe makarona për fëmijët. Por Malta ofron edhe një larmishmëri gatimesh të tjera, si pjata kombëtare: lepur i skuqur, ose çomlek me lepur.
Akomodimi dhe transporti
Nëpër ishuj ka plot opsione qëndrimi, si edhe hotele të hapur për fëmijët e vegjël me pishina dhe akses në plazhe. Megjithatë, qetësia preferohet në Maltë dhe një sërë hotelesh më të vogla pranojnë zakonisht vetëm fëmijë më të mëdhenj.
Sa i takon transportit, është e thjeshtë të udhëtosh me makinë në Malta dhe Gozo, por edhe mjetet publike si autobusi janë të lehta në përdorim dhe jo shumë të kushtueshme. Autobusët janë të shpeshtë për qytetet kryesore, por vijnë më rrallë për vendet më të vogla.
Midis Maltës dhe Gozos ka udhëtime me traget, ndërsa varka turistësh mund t’ju dërgojnë në Comino.
Edhe për fëmijët që janë ende në karrocë, Malta ofron plot vende për të ndërruar pelenat, ndërsa shërbimet e tjera për foshnjet janë të kudondodhura në Maltë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.