Pushoi nga puna 900 punonjës njëherësh nëpërmjet një video konference – Kritika për CEO-n e kompanisë së hipotekave
Shefi ekzekutiv i Better.com, Vishal Garg njoftoi se kompania e hipotekave po pushonte nga puna rreth 9% të forcës së saj punëtore nëpërmjet një video të realizuar me Zoom, duke informuar befasisht më shumë se 900 punonjës se duhet të shkëpusnin lidhjet me kompaninë pak para festave.
“Nëse jeni në këtë telefonatë, ju jeni pjesë e grupit të pafat që po pushohet nga puna,” tha Garg në thirrje. “Puna juaj këtu ndërpritet menjëherë.” Ai më pas tha se punonjësit mund të prisnin një email nga HR që detajonte përfitimet dhe shkëputjen nga puna.
Garg përmendi efikasitetin, performancën dhe produktivitetin e tregut si arsyen e shkarkimeve. Fortune më vonë raportoi se Garg akuzoi punonjësit për “vjedhje” nga kolegët dhe klientët e tyre duke qenë joproduktivë dhe duke punuar vetëm dy orë në ditë.
Midis të pushuarve ishin ekipi i rekrutimit të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.
Huadhënësi hipotekor i mbështetur nga Softbank njoftoi në maj se do të dilte publikisht përmes një SPAC dhe javën e kaluar mori 750 milionë dollarë në para si pjesë e marrëveshjes. Kompania është e përgatitur të ketë më shumë se 1 miliard dollarë në bilancin e saj.
Garg ka qenë i përfshirë në polemika më parë, siç dëshmohet nga një email që ai i dërgoi stafit dhe ku i kritikonte me terma jo etik sipas Forbes.
Daily Beast raportoi në gusht se një nga “togerët më besnikë” të Garg mori përfitime masive, të tilla si opsione aksionesh në vlerë prej miliona dollarësh që mund të bliheshin menjëherë, jo të krahasueshme me punonjësit e tjerë. Ai person më vonë u vendos në leje administrative për ngacmim. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.