Pyetja 83 milionë dollarëshe që po mundon Deutsche Bank
Ristrukturimi radikal i Deutsche Bank AG, prezantuar në fillim të korrikut, do të jetë një detyrë monumentale për menaxherët e lartë të saj. Puna e supervizorëve të industrisë së financave të Bankës Qendrore Evropiane, të cilët duhet të sigurohen që rindërtimi të shkojë pa probleme nuk do të jetë fare e lehtë.
Plani i Deustche Bank është një përpjekje e fundit për të siguruar që banka e trazuar të shmangë probleme më serioze në të ardhmen. BQE do të duhet të përdorë politikat e saj rregullatore me mençuri. Kjo do të thotë qëndrim pranë Deutsche në përpjekjet e saj, por nëse këto përpjekje dështojnë, BQE duhet të kërkojë më shumë kapital.
Andrea Enria, kreu i mekanizmit të vetëm mbikëqyrës së BQE, shmangi një plumb në prill, kur Deutsche Bank dhe rivali i saj vendas Commerzbank AG vendosën të mos bashkohen. Kombinimi do të kishte krijuar një mega huadhënës që po të dështonte do të sillte pasoja të tmerrshme në ekonomi. Mosbashkimi me rivalët, nuk i la tjetër mundësi Deutsche Bank, veçse të zgjidhte vetë problemet e veta, që në fakt ishte mënyra më e mirë që në fillim.
Deri më tani mbikëqyrësit e BQE kanë mbështetur ristrukturimin e bankës. Deutsche Bank do të synojë një raport të kapitalit bazë (CET1) prej 12.5%, i cili është mbi nivelin e tij minimal prej 11.8%, por nën 13.7% në tremujorin e parë. Kjo do të thotë se huadhënësi nuk do të duhet të rrisë kapital shtesë në treg, një ndihmë për aksionerët e saj. Mesazhi nga BQE duket se është i qartë: Për aq kohë sa banka është e gatshme të trajtojë problemet e saj dhe të bëhet më pak e rrezikshme, mbikëqyrësit do ta mbështesin atë.
Ky lehtësim ka kuptim, por nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Strategjia e Deutsche Bank përfshinë disa hapa të pasigurtë, duke përfshirë krijimin e një “banke të keqe” për të mbajtur 74 miliardë euro (83.2 miliardë dollarë) të aktiveve të ponderuara me rrezikun. Ky veprim shoqëron vendimin e guximshëm për të mbyllur tregtinë e aksioneve të Deutsche Bank dhe biznesin e shitjeve, i cili u bë një detyrim pasi huadhënësi u përpoq pa sukses për të konkurruar me gjigantët e Wall Street. Disa nga këto asete do të duhet të shiten dhe çështja qendrore për mbikëqyrësit është se çfarë çmimi banka më e madhe e Gjermanisë do të jetë në gjendje të marrë për këto asete. Nëse do të jetë shumë i ulët, një vrimë kapitale mund të krijohet.
Kjo çështje është akute, sepse Deutsche do të niset nga një pozitë e dobët në çdo negociatë shitjeje. Disa nga asetet janë jolikuide dhe ndaj për to nuk do të ketë shumë blerës. Aftësitë negociatore të Deutsche do të jene edhe më të ulëta, duke pasur parasysh që blerësit e dinë emergjencën që ajo ka për të shitur asetet.
Relaksimi i biznesit të kapitalit të Deutsche mund të nxjerrë në pah një polemikë që ka torturuar gjatë SSM-në. Disa, veçanërisht Banka e Italisë, kanë argumentuar se mjetet jolikuide të ulura në bilancet e huadhënësve të mëdhenj sikurse Deutsche janë një problem shumë më i madh se sa BQE ka guxuar të pranojë. Banka Qendrore nga ana e saj gjithmonë ka insistuar se mbikëqyrja ka qenë e përshtatshme dhe se nuk ka pasur trajtim të veçantë për ndonjë vend ose bankë specifike.
Mbikëqyrësit me siguri nuk mundet ta lenë këtë ristrukturim të shkojë keq. Në vitin 2016 Fondi Monetar Ndërkombëtar veçoi Deutsche si kontribuesi më i rëndësishëm neto ndaj rreziqeve sistemike për sistemin financiar global. Tani për tani huadhënësi gjerman duket se ka kapital të mjaftueshëm dhe mjaft likuiditet, edhe pse fitimet e bankës kanë qenë të dobëta. Në mungesë të një kthese bindëse, BQE mund të përballet me pyetje të vështira në të ardhmen, për shembull nëse Berlini duhet të lejohet të ndërhyjë për të shpëtuar Deutsche. Ndërsa BE është zotuar se do të sigurojë që çdo bankë të mos dëmtohet, kjo nuk është e provuar në rastin e mega-bankave siç është Deutsche.
Burimi: Bloomberg
DOSTI BANUSHI – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.