Pyjet të pambrojtura – KLSH: 43 subjekte pa leje, nuk arkëtohen gjobat për shkeljet
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Inspektoriatin e Mjedisit dhe të Pyjeve në Kukës ka evidentuar raste të shumta të prerjes së paligjshme të lëndës drusore, si dhe prani të lartë të subjekteve pa leje mjedisore.
Në raportin përfundimtar, KLSH thotë se të paktën në 16 raste për vitin 2015, janë konstatuara prerje të pa ligjshme të lëndës drusore, në vlerën prej 3,2 milionë lekësh. Ndërkaq, në fund të vitit 2016 u konstatuan 43 subjekte pa leje mjedisore.
Të ardhurat e munguara në arkën e shtetit për shkak të mospagimit të taksës mjedisore vlerësohen nga KLSH në masën e rreth 14 milionë lekëve.
Po ashtu, raporti thekson se për vitet 2015-2016, nuk janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 27 gjoba në vlerën prej 4,9 milionë lekëve të cilat janë të kthyera në urdhër ekzekutimi dhe janë dërguar në një kompani përmbarimi.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.