Qendrat e përkujdesit social – Manastirliu: Edukatorët do të testohen dhe do të rishikohen standardet e tyre
Edukatorët e qendrave të përkujdesjes do të testohen si dhe do të bëhet rishikimi i standardeve të tyre me qëllim shmangien e çdo abuzimi. Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë vizitës në Shtëpinë e Foshnjës në Tiranë, në ditën ndërkombëtare të jetimëve.
“Po vlerësojmë gjendjen e të gjithë fëmijëve në institucione, edukatoret do të testohen dhe standardet e qendrave të përkujdesit social do të rishikohen, në mënyre që të parandalojmë çdo fenomen abuziv dhe të garantojmë trajtimin maksimal, në interesin më të lartë të fëmijëve”.
Duke vënë theksin te rëndësia e standardeve të qendrave të përkujdeset, ministrja shtoi se do të nisë një program kombëtar për transformimin e tyre.
“Do të ndërmarrim një vlerësim në nivel kombëtar të çdo fëmije në institucionet e përkujdesit, qofshin këto qendrore apo lokale. Për ne ka rëndësi që çdo fëmijë të trajtohet me kujdes maksimal nga punonjësit e përkujdesit social nga veriu në jug të vendit. Për këtë arsye po rishikojmë standardet e qendrave të përkujdesit”, tha Mnastirliu.
Ndërkohë, Manstirliu u takua gjithashtu me një grup prindërish që janë në procedurë birësimi të fëmijëve të kësaj qendre, ku sipas saj po punohet për të lehtësuar procedurat e birësimit.
Janë rreth 199 fëmijë që trajtohen në institucionet e përkujdesit social në të gjithë vendin. Vetëm gjatë vitit të fundit, janë kthyer pranë familjeve biologjike 32 fëmijë, ndërsa janë birësuar 18 fëmijë të tjerë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.