Qetësia “pushton” globin – Indeksi i “frikës” zbret në nivelin e vitit 1993
Indeksi VIX, i njohur ndryshe edhe si indeksi i frikës ka prekur nivelin më të ulët që prej vitit 1993 në Europë, duke zbritur me 7.6%, në 9.77 pikë.
Kjo vjen falë fitores së thellë të Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale në Francë, që ishin testi i vërtetë dhe i fundit i Europës. Tashmë, euro dhe Bashkimi Europian mund të vazhdojnë punën në qetësi të pashqetësuara nga ndonjë pengesë e mundshme.
Marine Le Pen, ishte kërcënimi numër një për qëndrueshmërinë globale, dhe tashmë ky rrezik nuk është më në tavolinë. Qetësia ka prekur nivelet e viteve 2005-2006 kur asgjë nuk dukej të kërcënonte tregjet, theksojnë ekspertët.
Qetësia ka pushtuar edhe tregje të tjera, edhe përtej Europës. Luhatshmëria në bonot amerikane ka rënë me 24% që prej muajit të kaluar, duke prekur nivelin më të ulët që prej Tetorit.
Në tregun valutor ndërkohë, indeksi i luhatshmërisë së monedhave të vendeve të G7-ës është në nivelin më të ulët në më shumë se dy vite. Indeksi i frikës është 32% poshtë nivelit të 2 javëve më parë, kur francezët votonin në raundin e parë të zgjedhjeve.
Veç fitores së Macron në këtë qetësi kanë ndikim edhe të dhënat makroekonomike që vijnë nga çdo cep i globit e që flasin për një vrull të ekonomisë globale.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.