Qeveria, 76.8 milion lekë për shpronësime trojesh e ndërtesash në Vlorë!
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin me fondin 76 milion e 860 mijë lekë që do të përdoret për shpronësimet e trojeve dhe ndërtesave në kuadër të projektit “Rishikim i kalimeve këmbësore (trotuar) dhe i hapësirave publike në rrugën “Gjykatë – Akademia e Marinës – 7 pallatet”, faza I”, Vlorë. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë. Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
Pronarët që preken nga vendimi do të kompensohen, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Vlorë. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, do të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
Nga ana tjetër, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë duhet të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.