Qeveria e Kosovës aplikon masa reciprociteti ndaj Serbisë. Reagime nga BE dhe presidenti Thaçi: “Vendim i gabuar”
Në Kosovë një debat i ri ka nisur gjatë kësaj jave, që i përket marrëdhënieve me Serbinë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nëpërmjet një statusi të gjatë në rrjete sociale ka shpjeguar vendimin e marrë nga qeveria për masën e parë të reciprociteti me Serbinë, pasi kjo e fundit ndërroi qasjen ndaj Kosovës si shtet.
“Asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron mbishkrimi “Republika e Kosovës”, është shprehur z.Kurti dhe në këtë mënyrë caktoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për të bërë të mundur zbatimin.
Kreu i ekzekutivit më tej shtoi se gjatë mbledhjes janë marrë gjithsej 6 vendime, të cilat kanë të bëjnë me reformimin e bordeve publike, drejtësinë si dhe një sërë çështjesh të tjera me interes për zhvillimin social.
Mirëpo, kjo masë ka shkaktuar reagime ndërkombëtare dhe të aktorëve politikë vendas.
I pari mbi këtë temë është shprehur i deleguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
“I zhgënjyer për masat e reja të reciprocitetit, të vendosura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Veprime të tilla të njëanshme e minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të largohen menjëherë.” – është shprehur ai nëpërmjet një postimi në Tëitter, duke bërë thirrje që fillimisht duhet të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara për të kaluar në masa të reja.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i presidentit Hashim Thaçi që këto veprime i ka quajtur si “përpëlitjet e fundit të qeverisë në detyrë përpara largimit”.
Sipas tij strategjia e ndjekur është e gabuar për të vendosur atë që e ka quajtur “kinse reciprocitet” dhe mund të dëmtojë marrëdhëniet me partnerët kryesorë SHBA-BE.
“Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.” – shprehet presidenti në statusin e tij.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.