Qeveria i “trembet” borxhit publik – Hap garën për punësimin e një këshilltari financiar
Qeveria shqiptare gjendet aktualisht në një periudhë ku nga njëra anë i duhet t’i përmbahet objektivit për uljen e borxhit publik çdo vit dhe nga ana tjetër, në nevojë të lartë për financim, me qëllim rritjen e investimeve dhe rritjen ekonomike.
Në kushtet kur planifikon të dalë në tregjet ndërkombëtare për të emetuar Eurobondin e ri me vlerë 600 milionë euro dhe përpara ofertave për kredi nga donatorët për procesin e rindërtimit, qeverisë i duhet të sigurohet se nuk do të kapërcejë shifrat e borxhit publik.
Për këtë arsye, ekzekutivi ka miratuar vendimin i cili ka hyrë në fuqi, për përcaktimin e procedurës që do të ndiqet për procesin e përzgjedhjes së një këshilltari financiar për menaxhimin e borxhit shtetëror, duke mbajtur në konsideratë ndjeshmërinë e tregjeve financiare nga faktorë të brendshëm e të jashtëm, me qëllim sigurimin e fondeve të nevojshme të huamarrjes, duke vlerësuar riskun dhe koston e tij, në këndvështrimin afatmesëm e afatgjatë, si dhe zhvillimin e tregut të titujve të shtetit, nëpërmjet shtimit të instrumenteve të tij dhe zgjerimit të bazës së investitorëve.
Sipas vendimit, vlerësimi i propozimeve kryhet nga struktura përgjegjëse për borxhin publik, në bashkëpunim me struktura të tjera të ministrisë përgjegjëse për financat, duke u bazuar në: a) eksperiencën e ofertuesit në dhënien e shërbimeve të ngjashme; b) kapacitetin për ofrimin e shërbimit të kërkuar; c) oferta ekonomike.
Viti i kaluar u mbyll me një borxh public në nivelin 65.8 për qind të PBB-së. Në projeksionet e buxhetit 2020, në fund të këtij viti pritet që borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB-së, ndërsa sipas programi buxhetor afatmesëm synon një ulje graduale borxhit në 59.5% të PBB-së në fund të vitit 2022.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.