Qeveria italiane “djeg” 80 mld euro – Bursa e Milanos humbet 16% që prej muajit Maj
Në harkun e 4 muajve, Bursa e Milanos, ka djegur plot 80 miliardë euro, duke u kthyer në delen e zezë të Europës. Më 7 Maj, indeksi i bursës së Milanos ishte në 13% rritje gjatë vitit, ndërkohë që sot ka një vlerë 5.64% më të ulët se fillim-viti. Rënia është bindshëm më e madhe se ajo e bursave europiane. Indeksi pan-europian Stoxx 600 është në rënie me vetëm 0.96% gjatë vitit.
Që nga niveli maksimal i fillim Majit, bursa e Milanos ka humbur 16% të vlerës së saj, ose 80 miliardë euro. Një pjesë e madhe e këtyre parave të djegura vijnë nga sektori financiar, i lidhur ngushtë me ecurinë e financave kombëtare në tregjet ndërkombëtare. Nuk mund të lihet pa nënvizuar fakti se, rënia e burës së Milanos përkon në mënyrë të frikshme me negociatat për formimin dhe betimin e qeverisë së re, atë të populistëve “5 yjet-liga”.
Që në krye të herës, kur filluan negociatat mes dy partive populiste, filloi edhe tërmeti në tregje. Vlera në tregje e bankave dhe kompanive të sigurimit në Itali është sot 43 miliardë më e ulët se në fillim të muajit Maj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.