Qeveria miratoi propozim – ndryshimet për pagën minimale
Rreth 130 mijë punëtorë nga muaji shtator do të marrin rrogë me vlerë prej 12 mijë denarë. Propozim ndryshimet për ligjin për rrogën minimale u miratuan të premten në Qeveri ndërsa së shpejti pritet të jenë edhe në rend dite në seancë parlamentare.
Ideja është që me paratë e buxhetit të subvencionohet rritja e të gjitha rrogave që për momentin janë më të ulëta se 12 mijë denarë, pa marrë parasysh se për çfarë sektori bëhet fjalë, shkruan Alsat.
Nga Organizata e punëdhënësve mirëpresin këtë vendim dhe thonë se nuk do të shkaktojë probleme në punën e tyre.
“Vlerësojmë se Ligji nuk do shkaktojë probleme më të mëdha gjatë implementimit të saj. Gjithashtu, Qeveria ka pranuar të formohet komision i cili do të punoj në zgjidhjen dhe përmirësimin e gjendjes të veprimtarive më intenzive të punës dhe ndërprerjen e procesit të deindustrualizimit në vend”, tha Angel Dimitrov, Organizata punëdhënësve në Maqedoni.
Nga ana tjetër, analisti ekonomik Fatmir Bytyçi thotë se kjo është një masë e cila vjen si premtim parazgjedhor i partive në Qeveri. Ai shton se modeli i këtillë i subevencionimit të pagave nuk është i mirëfilltë për faktin se i bie çdo taksa paguesi të subvencionojë pagën e ndonjë tjetri që punon në sektorin privat.
“Ajo që duhet këtu ta cekim dhe që mendoj që vazhdon të jetë vetëm një politikë populiste është që kjo rritje e pagës minimale tani, në këtë mënyrë se si është projektuar do e shohim se si do ta projektojnë në vitin 2018 bëhet me subvencionim të shtetit që zakonisht në ekonomi ne themi se nuk është model i mirëfilltë kur shteti subvencionon pagën e punëtorëve në sektorin privat sepse, realisht ajo i prish disa relacione të cilat ne duam ti kemi të mirëfillta në ekonomi dhe biznesi ta mban barrën e pagës ndaj atyre që gjithsesi kontribuojnë për rritjen e bizneseve të tyre”, u shpreh Fatmir Bytyçi, analist ekonomik.
Për momentin, në Maqedoni rrogë më të ulët se 12 mijë denarë marrin rreth 130 mijë persona, që është 20% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në vend. Ndërkohë më problematike paraqiten sektorët e tekstilit dhe lëkurës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.