Qeveria miraton fondin shtesë – Mbi 11 mln lekë për rikonstruksionin e godinës së KLSH
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit ka miratuar një shtesë fondi si pjesë e buxhetit të vitit 2017, për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Konkretisht, këtij institucioni i shtohet fondi prej 11 700 000 (njëmbëdhjetë milionë e shtatëqind mijë) lekë, zëri “Shpenzime kapitale, me financim të brendshëm”, për projektin “Rikonstruksion godine i KLSH-së”.
“Efekti financiar, i parashikuar në këtë vendim do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2017. Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi.”
Vendimi i cili hyn në fuqi menjëherë me botimin në “Fletoren zyrtare”, u miratua në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.