Qeveria miraton vendimin për blerjen e banesave të reja që do të jepen me qera. Njoftimi shpallet nesër
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, është miratuar vendimi për blerjen e banesave në tregun e lirë, që do t’i shtohen fondit publik të banesave sociale për dhënien me qira të tyre nga Autoritetet e Qeverisjes Vendore ose Enti Kombëtar i Banesave.
Blerja e banesave sociale në tregun e lirë realizohet, si rregull, kur çmimet e shitblerjes së banesave në treg janë më të ulëta se kostoja e ndërtimit të banesave të reja.
Afati brenda të cilit priten të depozitohen ofertat për banesat sociale që mund të blihen nga tregu i lirë është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, duke filluar nga e nesërmja pas ditës së tretë të publikimit të ofertave në median e shkruar dhe vizive.
Në vendim specifikohet se banesat mund të blihen në:
a) drejtpërdrejt në treg të lirë; dhe/ose
b) nga shitja e banesave në ankandin e organizuar nga përmbaruesi gjyqësor, pasi ka mbaruar ankandi i parë
Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Enti Kombëtar i Banesave, me shpalljen publike të ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale, do të ngrenë komisionin e shqyrtimit të ofertave për administrimin e procedurës së shitblerjes. Komisioni përbëhet nga pesë veta: një nënkryetar i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose një drejtor i Entit Kombëtar të Banesave, në rolin e kryetarit të komisionit, një ekonomist, një inxhinier, një jurist dhe një punonjës/e nga strukturat përgjegjëse për strehim, në rolin e anëtarit të caktuar përkatësisht nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave.
Ofertat duhet të dorëzohen në adresën e përcaktuar në shpalljen publike të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose Entit Kombëtar të Banesave, brenda afatit kohor të specifikuar në shpallje. Në orën, vendin dhe ditën e shpallur, komisioni i vlerësimit të ofertave fton përfaqësuesit e ofertuesve të paraqesin ofertat e tyre në zarf të mbyllur.
Kjo masë është marrë në kuadër të programit social të qeverisë për strehimin e nevojshëm të njerëzve.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.