Qeveria parashikon “bum” ekonomik – Programi afatamesëm/ Ulje e borxhit, rritje e investimeve
Qeveria vijon të jetë optimiste se do ta mbyllë vitin 2019 me një rritje ekonomike prej 4.3 për qind, pavarësisht se në 3 muajt e parë të vitit ekonomia shqiptare pësoi një goditje dhe rritja ishte e përgjysmuar në vetëm 2.2 për qind, ndërsa parashikohet që deri në 2022 të arrijë në një mesatare prej 4.5 për qind.
Këshilli i Ministrave ka miratuar programin buxhetor afatmesëm 2020-2022, ku e parasheh se ekonomia do të rritet për shkak të rritjes së kërkesës së brendshme, konsumit privat, dhe investimeve. Ndërsa i “var shpresat” më së shumti në ecurinë pozitive të sektorit të shërbimeve, që sipas qeverisë do të kompensojë kontributin negativ të ardhur prej rritjes së importeve.
Parashikohet që në 3 vitet e ardhshme punësimi të rritet me një mesatare prej 2.4 për qind dhe të ketë një rritje graduale të pagave. Ndërsa program është optimist sa i takon edhe konsumin final, që synohet të rritet me rreth 3.1 për qind në vit. Qeveria parashikon edhe një bum investimesh gjatë kësaj periudhë, në terma real me rreth 5.9 për qind në vit.
Ndërkaq, në dokument thuhet se politika fiskale për periudhën afatmesme synon ulje graduale të defiçitit buxhetor nga 1,9 për qind që është parashikuar në 2019, në 1.6 për qind në 2020 dhe në 1.1 për qind në vitin 2022.
Ky konsolidim fiskal synon që edhe niveli i borxhit të ndjekë një trajektore të sigurt rënëse në 63.6 për qind në 2020-ën, në 59.9 për qind në 2021 dhe 59.5 për qind në 2022. Nga ana tjetër, në tre vitet e ardhshme janë menduar politika lehtësuese fiskale për një kategori subjektesh kryesisht në sektorin e agroturizmit me uljen e tatimfitimit në 6 për qind si dhe reduktimin e tatim fitimit për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor në 5 për qind, si dhe duke vendosur masën e rimbursimit në 20 për qind.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.