Qeveria rishikon buxhetin 2021 – Përmirëson parashikimet, më shumë të ardhura me shpenzime
Qeveria shqiptare ka bërë disa ndryshime në buxhetin e vitit 2021, nëpërmjet një akti normativ. Ndryshimet përfshijnë një rritje të parashikimit për të ardhurat. Fillimisht të ardhurat parashikoheshin në 484.1 mld lekë, ndërsa me ndryshimin e ri ato projektohen në 489.5 mld lekë, pra në rritje me 1.11%. Në rritje projektohen edhe shpenzimet e planifikuara për vitin fiskal, nga 592.8 miliardë lekë, në 598.2 miliardë lekë, në rritje me 0.91%.
Sa i përket të ardhurave, në rritje të lehtë janë projektuar si ato tatimore, ashtu edhe ato doganore, me të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) që parashikohet të rriten me një hap prej rreth 0.7% krahasuar me parashikim fillestar të buxhetit të shtetit. Të ardhurat nga fondet speciale, si dhe nga pushteti vendor nuk janë rishikuar. Në krahun e shpenzimeve ndërkohë, në rritje me aktin normativ duket të jetë parashikimi i shpenzimeve kapitale, si dhe ai i fondit rezervë.
Ky i fundit është rritur në 7 mld lekë, nga 4 mld që ishte më parë. Fondi i rindërtimit ndërkohë nuk është prekur. Ky rishikim i buxhetit të shtetit nga qeveria shqiptare vjen menjëherë pas publikimit të rezultateve të performancës fiskale për tremujorin e parë të vitit, ku vihej re një rritje e të ardhurave në terma vjetor, me rreth 4.2%, por edhe mbi planifikimin. Projeksionet për deficitin ndërkohë mbeten të pandryshuara.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.