Qeveria “rrudh” dorën – Bien shpenzimet totale, dyfishohen pagesat e ndihmës dhe papunësisë
Shpenzimet totale e buxhetit të shtetit kanë pësuar rënie në 5 muajt e parë të vitit, duke u shkurtuar me 0.5 për qind në raport me vitin 2019 dhe 10 për qind në krahasim me parashikimet. Sipas treguesve të konsoliduar të publikuar nga Ministria e Financave, totali i shpenzimeve Janar-Maj 2020 regjistrohet në 187 miliardë lekë. Me rënie prej 0.4 për qind paraqiten shpenzimet korrente që shkojnë për paga dhe kontribute për sigurimet shoqërore si dhe shpenzimet operative me 8 për qind në raport me 5 mujorin 2019.
Shpenzimet për fondet speciale, si sigurime shoqërore dhe shëndetësore kanë pësuar një rënie të lehtë prej 0.2 për qind, ku janë shpenzuar në total afro 68 miliardë lekë. Ndërkohë duket se tkurrja më e madhe ka ndodhur në shpenzimet vendore, me afro 6.9 miliardë lekë apo 28.5 për qind, në krahasim me Janar-Maj 2019, ku janë shpenzuar në total 17.2 miliardë lekë.
Në anën tjetër, janë dyfishuar shpenzimet që lidhen me pagesat e bëra në kuadër të masave të marra ndaj COVID-19, për papunësinë dhe ndihmën ekonomike, ku në total arrijnë në afro 20 miliardë lekë nga 9.9 miliardë lekë që ishin në 2019. Shpenzimet kapitale kanë treguar sërish dobësi dhe paraqiten me rënie me 1.7 miliardë lekë ku janë disbursuar 20.5 miliardë lekë në 5 muaj. Defiçiti buxhetor në fund të 5 mujorit rezulton në 26.3 miliardë lekë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.