Qeveria shqiptare heq detyrimin për leje pune për shqiptarët e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut
Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendimin për përjashtimin nga detyrimi për pajisje me leje pune dhe certifikatë regjistrimi për punë të gjithë shtetasit shqiptar nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Ky vendim krijon të njëjtat lehtësira për hyrje në tregun e punës në Shqipëri për ta sikurse ato që tashmë gëzojnë shqiptarët nga Kosova dhe Lugina e Preshevës.
Ky vendim është pjesë përbërëse e përpjekjes të Qeverisë për liberalizimin e tregut të punës të Shqipërisë për shqiptarët në tërësi.
Pavarësisht se mund të duket një veprim pa ndikim të menjëhershëm, ky është një hap i domosdoshëm drejt rritjes së lidhjeve të Shqipërisë me shqiptarët në vendet fqinje pa dallim. Ky vendim, ndërkaq, është vetëm pjesë e një pakoje më të gjerë masash që Shqipëria ka planifikuar për përafrimin e shqiptarëve në përgjithësi, ka deklaruar Ministri i Jashtëm Gent Cakaj.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.