Qeveria “var shpresat” tek shërbimet – Plani/ Kontributori kryesor në rritjen e ekonomisë dhe punësim
Pavarësisht se sektori shërbimeve ishte i pari dhe më i godituri nga pandemia COVID-19, qeveria duket se mban shpresat po tek kjo industri për rigjenerimin e ekonomisë në tre vitet në vijim. Kështu në kuadrin makroekonomik fiskal 2021-2023 të Ministrisë së Financave, parashikohet që të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë të vazhdojnë të rriten pak a shumë me të njëjtin trend të mesatares së tyre historike përgjatë kësaj periudhe, ndërkohë pritshmëritë më të mëdha janë nga shërbimet me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.7 për qind dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 2.7 pikë përqindje.
Ndërsa , bujqësia pritet të rritet mesatarisht me rreth 1.3 për qind në vit në terma realë përgjatë periudhës 2021–2023, industria me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.2 për qind; ndërtimi me rreth 3.6 për qind. Po ashtu, pavarësisht rritjes së papunësisë në nivele shumë të larta gjatë këtij viti, qeveria është optimiste që në periudhë afatmesme punësimi të rritet me një mesatare prej rreth 2.4 për qind në vit gjatë viteve 2021–2023.
Sipas dokumentit, shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës. Ndërsa rritja e kërkesës për punë pritet të reflektojë pak a shumë të njëjtën strukturë të perspektivës së ofertës agregate të aktivitetit ekonomik. Kështu, rrjedhimisht pritet që shërbimet të kontribuojnë më shumë në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë. Ministria e Financave parashikon që norma e papunësisë të bjerë në 9 për qind në vitin 2023.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.