Qeveria “zgjidh qesen” – Ndihmë deri 40 mln euro kompanive për kërkime shkencore
Çdo kompani e angazhuar në investimin në infrastrukturën energjetike do mund të përfitojë deri 50 milionë euro ndihmë financiare nga shteti. Kompanitë e angazhuara në fushën e kërkimeve industriale do mund të përfitojnë 20 milionë euro, ndërsa ato që operojnë në fushën e zhvillimit eksperimental deri 15 milionë euro.
Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren “Për kushtet dhe procedurat e dhënies dhe autorizimit të disa kategorive të ndihmës shtetërore” ku ka përcaktuar një listë të gjatë aktivitetesh që do mund të përfitojnë mbështetje financiare nga shteti. Ato nisin nga ndihma për kompanitë e vogla e të mesme, ndihma për punësim, për trajnim, për mbrojtjen e mjedisit, për kërkime shkencore e deri te ndihma për projekte rajonale.
Nëse projekti është kryesisht kërkim themelor, subjektet do mund të përfitojnë deri 40 milionë euro ndihmë nga shteti. Po ashtu, nëse projekti është kryesisht zhvillim eksperimental, Qeveria merr përsipër të japë 15 milionë euro për çdo ndërmarrje apo për projekt. Ndërkohë që pjesën e luanit të do të mund ta përfitojnë kompanitë e angazhuara në projekte rajonale, të cilat mund të kërkojnë deri 100 milionë euro ndihmë shtetërore.
Do të jetë Komisioni i Ndihmës Shtetërore ai që do të shqyrtojë dhe do të miratojë kërkesat për asistencë nga ana e bizneseve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.