Qeverisë amerikane i nevojitet financim. Kongresi në “sprint” për të miratuar paketën e Covid-19 dhe buxhetin
Kongresi i SHBA do të përpiqet këtë javë t’i japë fund konflikteve mbi prioritetet buxhetore dhe ndihmës së koronavirusit, që arrijnë në mbi 2 trilionë dollarë. Politikanët, që përballen me një afat në mesnatën e ditës së Premte, do të përpiqen t’i japin miratimin përfundimtar paketës së shpenzimeve prej 1.4 trilionë dollarë për vitin fiscal që nisi më 1 Tetor. Këtu përfshihen fonde për programe federale, që variojnë nga kujdesi shëndetësor, siguria e brendshme , gatishmëria ushtarake, parqet kombëtare dhe programet e ushqimit. Këto kanë operuar me financim të përkohshëm që prej Tetorit. Pa një marrëveshje, qeveria duhet të nisë mbylljen e programeve jo emergjente dhe largojë shumë punëtorë.
Anëtarë të Senatit republikan dhe Dhomës së Përfaqësuesve të drejtuar nga Demokratët, kanë një detyrë tjetër të madhe, për të vendosur mbi një paketë të koronavirusit që arrin në 1 trilionë dollarë, ndërkohë që pandemia po përkeqësohet. “Plani është ende gjallë dhe nuk ka shans që të lëmë Washingtonin pa u kujdesur për nevojat emergjente të popullit tonë”- tha senatori demokrat Joe Manchin. Agjencitë lokale të shëndetit publik shqetësohen se pa një marrëveshje mbi paketën, ato nuk do të kenë mjaftueshëm para për të ndërmarrë programin gjigant të vaksinimit.
Dërgesat e para të Pfizer kanë mbërritur që ditën e Diel. Presidenti zgjedhur joe Biden, i ka bërë thirrje Kongresit që të veprojë shpejtë mbi një paketë të koronavirusit, përpara se të betohet më 20 janar.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.