QKB apel bizneseve – Dorëzoni deri më 31 korrik bilancet financiare, më pas penalizoheni
Të gjitha bizneset që paguajnë tatim fitim, ose siç njihen në gjuhën e përditshme bizneset mëdha, duhet të dorëzojnë deri më 31 korrik bilancet financiare të tyre.
Në rast se nuk zbatohet me korrektesë afati, këto sipërmarrje do të penalizohet. Ky është apeli që vjen nga Qendra Kombëtare e Biznesit, mbi dorëzimin e pasqyrave financiare, raporteve të auditit dhe ecurisë së veprimtarisë për vitin financiar 2016.
Sipas një njoftimi të bërë nga ky institucion, detyrimi për depozitimin e dokumenteve të sipërcituara e kanë subjektet që janë regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim fitimi, të cilët duhet të dorëzojnë pranë QKB-së:
- Pasqyrat financiare vjetore të skanuara ne format PDF,
- Raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme),
- Vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesës ligjore)
Por cila është mënyra e depozitimit:
- Depozitimi i dokumenteve mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimi online në portalin qeveritar e-albania, duke ndjekur të gjitha hallkat e procedurës për kryerjen e aplikimit
- Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF
- Individi i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike
- Shërbimi ofrohet pa pagesë
Sipas këtij njoftimi, bëjnë përjashtim subjektet më administrator të huaj dhe shoqëritë e kursim kreditit, aplikimet ë të cilëve do të vijojnë të kryhen në sportelet e shërbimit pranë QKB-së.
Referuar të dhënave zyrtare të QKB, janë gati 20014 subjekte që kanë detyrimin për të depozituar bilancet vjetore në QKB ,përmes portalit qeveritar E-albania.
Ndërkohë mosdepozitimi i pasqyrave financiare deri në 31 korrik 2017 shoqërohet me kundërvajtjen administrative 15 mijë lekë. Për vitin e kaluar kanë aplikuar për depozitimin e pasqyrave financiare 18.000 subjekte, nga të cilat 14000 aplikime janë aprovuar dhe 4000 te tjera janë refuzuar. Subjektet mund te verifikojnë statusin e aplikimit të tyre nëpërmjet faqes zyrtare te QKB ose sporteleve të këtij institucioni.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.