Qytetarët ‘larg’ sporteleve të Tatimeve! Reduktohen kontaktet, më shumë se 80 % e dokumenteve merren on-line
Tatimet njofton se shërbimet e Administratës Tatimore që ofrohen online nëpërmjet portalit e-Albania përbëjnë më shumë se 80 % të totalit, krahasuar me të njëjtat shërbime që ofrohen në sportelet e shërbimit për tatimpaguesit.
“Për muajin maj, janë më shumë se 19 mijë e 500 shërbime (vërtetime, çertifikatë rezidence, konfirmim listëpagesash, etj), të cilat tatimpaguesit dhe individët i kanë përfituar nëpërmjet portalit, ndërkohë që në sportelet e shërbimit janë lëshuar rreth 2 mijë e 700 dokumenta. E shprehur në përqindje, shërbimet online zënë 88%, krahasuar me 12% shërbime në sportel, ndërsa në tërësi për 5 mujorin e parë të këtij viti, raporti është 81% me 19% (71.500 me 16.500)” njoftojnë Tatimet.
Sipas Tatimeve, ofrimi i shumë shërbimeve në rrugë elektronike ka bërë që të reduktohen ndjeshëm kontaktet e drejtëpërdrejta me administratën, radhët e gjata dhe koha e pritjes.
Tatimpaguesit apo individët e interesuar, i përfitojnë këto shërbime drejtëpërdrejtë në portalin e-Albania, me disa klikime të thjeshta, duke kursyer kohë dhe burime njerëzore. Ato janë dokumenta të cilët kanë vlefshmëri ligjore të njejtë me dokumentat që lëshohen në sportele.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.