“Radarët” drejt Ballkanit – Pas Sofjes këtë javë, në Korrik samiti i Londrës
Kjo javë do të jetë mjaft e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, pasi në Sofje të Bullgarisë do të zhvillohet samiti i parë mes rajonit dhe unionit që prej vitit 2003 në Selanik.
Por nga ana tjetër, po gjatë kësaj jave do të zhvillohen disa takime të rëndësishme biznesi, ku veç sipërmarrësve në Sofje do të jenë edhe ministrat përgjegjës.
Për Shqipërinë mësohet se do të jenë Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri. Do të jenë plot 3 ditë aktivitete në Sofje, ku të pranishëm do të jenë thuajse të gjithë liderët e institucioneve europiane dhe vendeve anëtare.
Fokusi do të jetë tërësisht te ekonomia, dhe zgjerimi do të jetë në plan të dytë. Pikërisht zgjerimi do të jetë kryefjala e një tjetër samiti, që bëhet përvit në kuadër të procesit të Berlinit e që vitin e kaluar u mbajt në Trieste të Italisë.
Për ironi të fatit, këtë vit, ky samit do të mbahet në Londër, në një kohë që qeveria britanike pritet ta braktisë shumë shpejt unionin. Samiti do të mbahet në datat 9 dhe 10 korrik.
Tema kryesore e bisedimeve gjatë samitit do të jetë pikërisht integrimi i rajonit dhe zgjerimi i unionit. Gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor do t`i bashkohen gjatë punimeve të samitit liderët e Austrisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Bullgarisë, vende që kanë interes të drejtpërdrejtë në rajon.
Qëndrimi i Britanisë ndërkohë ka ngjallur shumë kuriozitet, por gjithsesi, qeveria britanike pritet që zyrtarisht të mbështesë integrimin e rajonit në union pasi diçka e tillë sjell më shumë siguri dhe mirëqenie për rajonin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.