Rama biznesit të vogël: Problemi juaj jo tek TVSH, por tek tavani 8 mln
‘Problemi i biznesit të vogël nuk është përfshirja në skemën e TVSH-së, por tavani aktual i vendosur prej 8 milionë lekë.’ Kështu është shprehur kryeministri, Edi Rama, gjatë takimit të tij me përfaqësues të biznesit të vogël, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë.
Sipas tij, përfshirja e biznesit të vogël në TVSH nuk ka për qëllim të dëmtojë këtë të fundit, por të mos lejojë biznesin e madh t’i shmanget detyrimeve të shtetit. Po ashtu, shtoi më tej se do do të ndryshojë tavani për biznesin në mënyrë që ky i fundit të mos gënjejë me bilancet e tij.
“Ajo çka unë kam nxjerrë si përfundim nga takimet me përfaqësuesit e biznesit është se problemi juaji nuk është TVSH. Problemi juaj është tavani 8 milionë, sepse duke e kapërcyer këtë tavan pastaj subjekti është i detyruar të paguajë një taksë më të lartë. Kjo bën që shumë prej jush gënjejnë. Gënjejnë me bilancet dhe për të mbajtur kokën nën tavan, ndërkohë që xhiron e kanë më të lartë se 8 milionë.”
Ndërkohë, ministri Ahmetaj është shprehur në fjalën e tij se taksa e biznesit të vogël është vetëm 5% dhe qeveria nuk ka për qëllim të mbushë buxhetin me biznesin e vogël. Ndërkohë, ka sjellë edhe njëherë në vëmendje se nuk do të ketë gjobë për subjektet e biznesit të vogël deri në 31 Dhjetor 2018.
“Nuk do të mbushim buxhetin nga biznesi i vogël. Nga biznesi i vogël vjen vetëm 0.8% e TVSH, ndërsa nga biznesi i madh vjen 99% TVSH.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.