Rama kërkon në Gjermani negociatat: “Jemi të dashuruar verbërisht me Evropën. Ofrojmë mjedis të mirë dhe për investime”
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në forumin Europapark në Mynih të Gjermanisë nga ku ka kërkuar nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kryeministri gjatë fjalës së mbajtur në këtë forum, ka nxitur liderët europianë të thonë po këtij procesi .
“Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi të dashuruar me një dashuri të verbër për Evropën. Por si mund të martohemi kur Evropa nuk na flet. Negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të saj por negociata është çka është reale për ne. T’i privosh vendet nga ky instrument është pa kuptim. Është momenti i duhur për t’ju thënë ejani të vizitoni Shqipërinë, është larg 1 orë e disa minuta. Është vend i bukur, për të huajt është vendi më i sigurt në Evropë”, deklaroi Rama.
Kryeministri ftoi investitorët Gjermanë të vijnë në Shqipëri duke shtuar se vendi ka një legjislacion favoriuzues , krah të lirë pune dhe pozicion strategjik gjeografik
“Jemi të bindur se ne ofrojmë një mjedis të mirë për kompanitë që duan të jenë të pranishme me linjat e tyre të prodhimit për shkak të kostos së punës, për shkak të krahut të ri të punës, për shkak sepse njerëzit janë mjaft të aftë edhe me gjuhët e huaja. Është shumë interesante të shohësh kompanitë gjermane, nuk kemi shumë por kemi disa prej tyre. Sjellja e njerëzve është shumë e mirë dhe kompanitë gjermane janë shumë të kënaqura me këta njerëz dhe e ndiejnë sikur punojnë në Gjermani praktikisht, nën një drejtim që ka kulturën e punës e cila është mjaft e respektueshme dhe me standarde”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka folur për një investim prej 28 miliardësh, për energji, infrastrukturë dhe digjitalizim. Ai u ka bërë thirrje kompanive europiane që të ndihmojnë për të zbatuar këtë plan .
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.