Rama me komisionerin Hahn: Tregu ekonomik rajonal, të zbatojmë planin e përbashkët me 115 pika
Kryeministri Rama në një konferencë të përbashkët me komisionerin Hahn foli edhe një here për krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik në rajon dhe për planin prej 115 pikash, me qëllim që rajoni të bëhet tërheqës për investimet dhe shkëmbimet tregtare.
“Kemi një plan veprimi me rreth 115 pika në funksion të një transformimi rrënjësor në kuadër të shkëmbimeve tregtare, lëvizjes së mallrave, kapitalit, me qëllim që rajoni të bëhet më tërheqës për investime, për shkëmbimet e brendshme tregtare, duke përshpejtuar rrugën drejt BE, të përmirësojmë mirëqenien. Jemi inkurajuar nga fakti se në nivelin politik ka një dakordësi të plotë ka një sinergji të plotë me KE. BB është përfshirë në mënyrë të plotë me kërkesën tonë, po kështu bashkëpunimi me BERZH dhe BEI janë në dispozicion. Ky reflektim strategjik do te na shërbejë për një axhendë për investimet e huaja, për transformimin me krijimin e mekanizmave për reduktimin e kostove logjistike, për të rritur përfitimet nga lëvizja e lirë e shërbimeve, për të fuqizuar ekonominë dixhitale.”
Me krijimin e këtij tregu të përbashkët dhe me mekanizmat që mund të ndiqen, Rama u shpreh se mund të kursejmë nga buxhetet tona 119 mln Euro, duke shmangur problematikat që krijohen në dogana.
“Ne kemi një ndërlidhje problematike sa i takon tregtisë, sa humbin orë dhe vite në dogana në shkëmbimet dhe transportimin e mallrave që është e papërballueshme. Na duhet të ulim shumë vite burokraci. Procedurat për pagesat të jenë sa më elastike, kjo është ekonomia ne jemi tregje të vogla dhe nëse bëhemi së bashku në bëhemi një treg i rëndësishëm dhe një ekonomi e rëndësishme për vendet tona. Ne do të përqendrohemi në ndihmën e BE dhe të BB dhe të çlirojmë këtë pjesë që mund të ndikojë në rritjen ekonomike, si dhe të largojmë pengesat burokratike.”
Komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn e ka nisur fjalën e tij duke uruar kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit, si dhe e ka falënderuar për nismën për zhvillimin e këtij takimi në Durrës. Gjatë kësaj konference Hahn ka theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të planit me 115 pika, të cilat do të çojnë në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik në rajon.
“Dua t’iu uroj për fitoren dhe për faktin që mundësuat zgjedhje që u njohën nga bashkësia ndërkombëtare. Ju falënderoj për nismën që keni ndërmarrë për takimin sot, për të mbledhur përfaqësuesit e rajonit, në këtë vend kaq të mrekullueshëm për të diskutuar vijimësinë e Samitit të Triestes, për krijimin e një tregu ekonomik rajonal me 115 pika. Po diskutojmë si ta vëmë në zbatim, të biesh dakord për elementet e saj është një gjë dhe ta zbatosh është një tjetër gjë. Ndaj është dhënë angazhim nga përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne duam të bashkëpunojmë me ju dhe të ecim para sa i takon aspiratave evropiane, që të përmirësohet niveli i jetesës së qytetarëve”, tha Hahn.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.