Rama: Në buxhetin 2018, taksa e biznesit të vogël mbetet zero, por futet në regjim TVSH
Taksa e bizneseve të vogla do të qëndrojë të jetë zero. Këtë e ka konfirmuar vetë kryeministri Rama gjatë një takimi me qytetarët në Fier.
Megjithatë ai shtoi se në kuadër të fazës së re të aksionit kundër informalitetit, bizneset e vogla nuk mund t’u shpëtojnë futjes së regjimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
“Së pari do të ketë më shumë burime financiare ne dispozicion si rezultat edhe i politikave fiskale që do të vazhdojnë të bazohen tek principi i taksimit të ndershëm dhe tek nxitja e investimeve private në sektorët prioritarë.
Nga ana tjetër, lufta kundër informalitetit hyn në një fazë të re. Sapo ka nisur ky kapitulli i ri i kësaj lufte kundër informalitetit për të bërë një betejë pa kompromis, por në funksion të luftës kundër informalitetit dhe dua ta theksoj ne do t’i fusim të gjitha subjektet, edhe ato të biznesit të vogël, në regjimin e TVSH.
Kjo do të thotë, kemi lexuar që ka dalë si gjoja një informacion sikur do të rrisim taksën për biznesin e vogël. Kjo nuk është e vërtetë. E kemi bërë zero taksën për biznesin e vogël dhe do të vazhdojë të jetë zero”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, përfshirja në TVSH e bizneseve të vogla do të shërbejë edhe në luftën ndaj evazionit fiskal të bizneseve të mëdha dhe do të eliminojë çdo formë konkurrence të pandershme.
“Nga ana tjetër do t’i kërkojmë biznesit të vogël që të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit dhe duke e përfshirë në regjimin e TVSH mbyllim hapësirat për ato biznese të mëdha nuk shkaktojnë TVSH. Dhe nga ana tjetër do të pamundësojmë që bizneset e vogla të bëjnë konkurrencë të pandershme me pjesën tjetër duke mos pranuar faturë TVSH-je nga të mëdhenjtë. Kjo është strategjia dhe nuk ka kompromis. Nuk është rritje takse. Sigurisht që çdo biznes i vogël duhet të sillet në mënyrë të strukturuar dhe korrekte me ligjin”, shtoi Rama.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.